Prokuroria e Tiranës i sekuestron pasurinë, në kërkim ndërkombëtar narko-trafikanti shqiptar

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 12:03 | Kronikë

Prokuroria e Tiranës i sekuestron pasurinë, në kërkim

Prokuroria e Tiranës i sekuestron pasurinë një shtetasi shqiptar, që është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, për ‘Trafikim të narkotikëve’ që nga viti 2022. Shtetasi me inicialet Sh. K., akuzohet që është marrë me trafikim të lëndëve narkotike në Gjermani dhe për këtë arsye, atij dhe babait të tij me inicialet I.K., u janë sekuestruar disa prona të paluajtshme, me lokacion në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera.

“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit Sh.K., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale ‘Trafikim të narkotikëve’ në Gjermani nga viti 2022 dhe babait të tij, I.K., pasi nuk justifikohen nga të ardhura apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme”, tha prokuroria.

Prokuroria kërkoi dhe gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive të Sh.K. dhe personit të lidhur me të, babait të tij, I.K., si më poshtë:

1- Pasuria e paluajtshme njësia nr.16, në Zonën Kadastrale 8518, Plazh Durrës, me sipërfaqe 191.00 metra katrorë, e përfituar nga shtetasi I.K;

2 – Pasuria e përfituar me kontratën për kalim të drejtash datë 31.08.2017, me perfitues shtetasin Sh.K.;

a). apartament nr.36, tipi 1+1, sipërfaqe neto 56.69 m², me sipërfaqe të përbashkët 8.44 m², dhe sipërfaqe totale 65.13 m² seksioni nr.3, kati i tretë banimi, (i katërt mbi tokë) i përbërë nga një dhomë e një kuzhinë dhe ambjente të tjera përdorimi të përbashkët;

b) Pasuria apartamenti nr.39, tipi 1+1, sipërfaqe neto 56.69 m² me sipërfaqe të përbashkët 8.44 m², dhe sipërfaqe totale 65.13 m² seksioni nr.3, kati i katërt banimi, (i pesti mbi tokë) i përbërë nga një dhomë e një kuzhinë dhe ambjente të tjera përdorimi të përbashkët; 

c) Pasuria garazh me nr.28; si dhe

3- Pasuria e përfituar nga shtetasi Sh.K, me anë të kontratës së porosisë me nr.1265, apartament me sipërfaqe ndërtimi në total 104.8m², ambiente të përbashkëta 10.5m², në rrugën "Don Bosko" Tiranë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos