Policia e Tiranës arreston një 17-vjeçar që dyshohet se ndihmoi dy autorët që qëlluan me armë zjarri dy ditë më parë në Kamëz, si edhe dha deklarime të rreme duke argumentuar se ishte ai autori i ngjarjes. I mituri u tha agjentëve se ishte ai personi që qëlloi me armë drejt një tjetër mjeti, shkruan A2 CNN. Por nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se ai nuk ndodhej në vendngjarje. Për këtë arsye polici ka dyshime se 17-vjeçari mund të jetë ndikuar nga autorët e ngjarjes për të marrë përsipër autorësinë e krimit.
Ai akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“ dhe “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”. Si autorë të dyshuar policia shpalli në kërkim Dejvi Mullai, i cili ishte dhe drejtuesi i mjetit BMW nga u qëllua me armë, si dhe Fabion Kurti. Dy të rinjtë janë persona me precedentë në shpërndarjen e drogës. Në kërkim është edhe Enejdo Kaci, objektiv në ngjarje. Ky i fundit lëvizte me një mjet Range Rover të marrë me qira, të cilin më pas e kishte braktisur në garazhin e një pallati. Sipas burimeve dy autorët, Mullai dhe Kurti janë persona me precedentë për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Debati mes të rinjve, kishte nisur pas një sherri mes tyre, për sharje me fjalë banale. Burime nga policia thonë të rinjtë jetojnë në të njëjtën lagje dhe mbrëmjen e së premtes ishin konfliktuar me njëri-tjetrin, fillimisht për fjalët “pse shikon” dhe më pas kanë përfunduar në përplasje fizike, derisa qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje. (A2 Televizion)