Rigjykimi për zhdukjen e Jan Prengës, avokati i Festim Bexhdilit kërkon rishikimin e pamjeve filmike

Nga Xhensila Kodra
12 Qershor 2025, 12:24 | Kronikë

Rigjykimi për zhdukjen e Jan Prengës, avokati i Festim Bexhdilit

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit (GJKKO) vijon procesi i rigjykimit për Festim Bexhdilin, i njohur si kopshtari i kompleksit “Golden”, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar 2020.

Seanca e fundit u shënua nga kërkesa e avokatit të Bexhdilit, Ilir Murati, i cili kërkoi që trupi gjykues të rishohë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që ndodhen në dosje, shkruan A2 CNN.

“Kemi konstatuar një gabim të rëndë të organit procedues në interpretimin e pamjeve. Prokuroria pretendon se Bexhdili është larguar bashkë me personat e tjerë të përfshirë në ngjarje, por pamjet e kamerave vërtetojnë të kundërtën,” – deklaroi avokati Murati.

Po ashtu, në sallën e gjyqit u shoqërua si dëshmitar shtetasi Aldo Majnishta, i cili pritet të japë dëshmi lidhur me rolin e të pandehurit në ditën e ngjarjes.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë rrëzoi më herët vendimin për burgim të përjetshëm ndaj Festim Bexhdilit dhe urdhëroi rigjykim të çështjes, duke e kthyer dosjen në Apel për shqyrtim të ri mbi bazën e provave të kontestuara.

Viktima, Jan Prenga, u rrëmbye në Kamëz dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë, ndërsa dyshohet se u mbajt dhe u ekzekutua në kompleksin “Golden” në Shijak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos