Sadushi në Republikën Domenikane: Shteti i së drejtës duhet të rritet së bashku me shoqërinë, shkencën e teknologjinë

Nga Armand Bajrami
6 Maj 2025, 10:13 | Kronikë

Sadushi në Republikën Domenikane: Shteti i së drejtës duhet

“Shteti i së drejtës nuk është statik. Është një parim i gjallë që duhet të rritet së bashku me shoqërinë, shkencën dhe teknologjinë”. Kështu u shpreh kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, gjatë Kongresit të këtij viti në Republikën Domenikane.

Ai paraqiti përvojën shqiptare në transformimin e gjyqësorit: nga rivlerësimi i gjyqtarëve dhe forcimi i pavarësisë së sistemit, tek përqafimi i teknologjisë në funksion të transparencës, efikasitetit dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi. Ai solli në vëmendje vendime të rëndësishme ku Gjykata e Lartë ka treguar gatishmëri për të përballuar sfida të reja me standarde të larta profesionale dhe kushtetuese.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e digjitalizimit si një nga shtyllat kryesore të reformës, përmes: Sistemeve të menaxhimit të çështjeve, Platformave të hapura për publikun, Komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe rrjeteve sociale.

Sadushi theksoi se në vitin 2027, Tirana do të mirëpresë juristë, akademikë, gjyqtarë dhe liderë nga mbarë bota.

"Shqipëria është gati të ndajë përvojën e saj dhe të kontribuojë në vizionin e një drejtësie globale moderne dhe të aksesueshme".

Sipas tij "lajmi se Shqipëria do të jetë mikpritësja e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, është një ngjarje madhore për ne dhe një vlerësim i qartë për rrugëtimin reformues që vendi ynë ka ndërmarrë vitet e fundit".

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos