Shkodra tronditet sërish në zemër të saj nga atentate në mes të qytetit. Pa kaluar as tri ditë nga atentati pranë Kinema Republika, mëngjesin e të hënës një atentat i dyfishtë ka ndodhur pak metra larg bashkisë së qytetit në një lokal aty pranë, raporton A2 CNN. Një person ka hapur zjarr me armë automatike duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur dy të tjerë.
Viktima të kësaj ngjarje kanë mbetur Armando Pali, punonjës i IMT në Bashkinë e Shkodrës dhe Liridon Kraja, i cili ka ndërruar jetë në spital. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi tjetër Erogen Vaso, që ishte në tavolinë me viktimat si dhe kamerierja e lokalit, Meri Kaceri, 25 vjeç, e cila është plagosur rastësisht.
Pak minuta pas kësaj ngjarje të rëndë policia në ndjekje e sipër ka ndaluar në periferi të Shkodrës autorin e dyshuar të kësaj vrasje të dyfishtë, Ragip Gila, i cili së bashku me mjetin e tij tentoi t’i shpëtonte ndjekjes së policisë.
Për momentin mbeten ende të paqarta rrethanat e kësaj ngjarje që përveç viktimave ka rrezikuar jetën edhe të shumë personave të tjerë që ndodheshin në lokal. Gjithashtu ende nuk dihet se kush nga tre personat qe ishin bashke mund të ketë qenë shënjestra e vërtetë e këtij atentati. Por dihet që autori i dyshuar ka pasur precedent të mëparshëm penalë. Arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj masakre, dhe dëshmia e njërit prej të plagosurve i cili gjithashtu është i njohur nga policia, pritet të zbardhë edhe motivet e kësaj ngjarje që është në kufijtë e një akti terrorist në ambiente publike. (A2 Televizion)