Administratorja e një lokali ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi dyshohet se organizonte veprimtari kriminale dhe shfrytëzonte një 39-vjeçare që të ushtronte prostitucion kundrejt pagesës. Gjatë operacionit policor u sekuestruan një shumë parash si edhe lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
“Si rezultat i operacionit policor “MIDNIGHT u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetaset: E. K., 41 vjeçe dhe E. Ç., 39 vjeçe, të dyja banuese në Vlorë. Nga hetimet rezultoi se shtetasja E. K. shfrytëzonte për prostitucion kundrejt pagesës shtetasen E. Ç., me klientë të ndryshëm që frekuentonin lokalin që 41-vjeçarja administronte, në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetases E. K., i është gjetur dhe sekuestruar një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga ky aktivitet kriminal, si dhe një dozë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë”.
Ndërkohë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetaseve iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. (A2 Televizion)