Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e masakrës në Shkodër, zbulohet arsenal armësh, dronë dhe kapsolla detonatorë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 11:19 | Kronikë

Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e masakrës

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët në masakrën e djeshme në lagjen “Qemal Stafa” të këtij qyteti, ku autori Ragip Gila qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.  

Sipas policisë 39-vjeçariBarush Bregu (Bajram Bregu) dhe një 17-vjeçar janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë siguruar armatimin.

Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje e cila jeton jashtë vendit, shtetasit e mësipërm e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, u sekuestruan 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore, municion luftarak, një Audi me targa të vjedhura, 5 dronë, laptopë dhe pajisje të tjera.

Njoftimi i Policisë Shkodër

Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.  

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës.

Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.    

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:

-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. 

U sekuestruan:    

2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;        

automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.    

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 

1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. 

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos