“Shqiptarët kanë zëvendësuar vietnamezët te fermat e kanabisit”, Britania vendos dronë dhe syze termike në Ballkan kundër emigracionit të paligjshëm

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 13:01 | Kronikë

“Shqiptarët kanë zëvendësuar vietnamezët te

Britania e Madhe ka nisur përdorimin e dronëve dhe syzeve termike për të ndjekur dhe identifikuar emigrantët e paligjshëm që përpiqen të kalojnë në territorin britanik përmes rrugëve të Ballkanit, raporton “The Telegraph”, përcjell A2 CNN. Vendimi u mor nga Martin Hewitt, komandanti i sigurisë kufitare të qeverisë britanike, gjatë një takimi me drejtuesit e policive kufitare të vendeve të Ballkanit në Sarajevë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 janë trafikuar rreth 22 mijë persona përmes rrugëve të Ballkanit, ndërsa grupet kriminale të rajonit, veçanërisht ato shqiptare, mbeten të lidhura ngushtë me rrjetet e trafikut në Britani. Po ashtu, vlerësohet se 25 për qind e emigrantëve që kanë kaluar Kanalin e La Manshit kanë kaluar më parë nëpër Ballkan gjatë udhëtimit të tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Dronët do të përdoren për të zbuluar kontrabandistët dhe trafikantët që përpiqen të shmangin patrullat kufitare, duke përdorur rrugë të ngushta malore për të hyrë dhe dalë nga rajoni.

Përveç kësaj, janë vendosur kamera të njohjes automatike të targave (ANPR) në kufirin Shqipëri–Kosovë, me qëllim identifikimin e automjeteve britanike që mund të jenë përdorur më parë nga grupet e trafikantëve. Këto të dhëna do t’u përcillen autoriteteve britanike për të ndihmuar në identifikimin e anëtarëve të bandave kriminale me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Shqiptarët kanë zëvendësuar vietnamezët te
Martin Hewitt, komandanti i sigurisë kufitare të qeverisë britanike.

Në shumë raste, emigrantët shqiptarë që kanë kaluar Kanalin janë rekrutuar më pas për të punuar në ferma kanabisi në Britani, ku, sipas autoriteteve, shqiptarët kanë zëvendësuar vietnamezët si drejtues kryesorë të këtij tregu ilegal.

Martin Hewitt deklaroi: “Emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar janë sfida globale që kërkojnë zgjidhje globale. Asnjë vend nuk mund ta përballojë këtë i vetëm. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të inteligjencës mund të shkatërrojmë bandat kriminale që shfrytëzojnë njerëzit e pambrojtur dhe dëmtojnë komunitetet tona”.

Ky zhvillim përkon me samitin e ministrave të Brendshëm të Ballkanit në Londër, të organizuar nga Shabana Mahmood, ministrja britanike e Brendshme. Ajo paralajmëroi se dështimet e vendeve për të kontrolluar kufijtë po minojnë besimin e qytetarëve te politikanët dhe te shtetet e tyre. “Britania po punon me miqtë tanë në Ballkan për të ulur ndjeshëm numrin e emigrantëve të paligjshëm që përfundojnë në tokën britanike. Do të përdorim teknologjinë më të avancuar, dronë dhe pajisje nate, për t’i gjurmuar ata dhe për të garantuar sigurinë kufitare. Kam premtuar se do të bëj gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur kufijtë tanë, dhe pikërisht këtë po bëj”, tha ajo.

Takimet e radhës midis shefave të policive kufitare të Ballkanit, ku do të diskutohet bashkëpunimi dhe teknologjitë e reja të survejimit, do të zhvillohen çdo vit nën drejtimin e Martin Hewitt. Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, bashkëpunimi i ri ka marrë mbështetje të plotë nga partnerët e rajonit për të parandaluar flukset e emigrantëve që kalojnë përmes Europës drejt Britanisë.

Deri tani, mbi 35 mijë persona kanë kaluar Kanalin e La Manshit gjatë këtij viti, një rritje prej më shumë se 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur pothuajse nivelet rekord të vitit 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos