Është vetëdorëzuar në polici autori i ekzekutimit të biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë. A2 CNN mëson se autori 48-vjeçar Kamber Sulçe është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Tepelenës. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta raporton se ai është shoqëruar nga avokati i tij.
48-vjeçari, banues në Mesaplik, Vlorë ishte shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ndodhi pas mesnatës së 26 shtatorit 2025 në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit” në Tepelenë. Sipas gazetarit të A2 CNN gjithçka nisi pas një konflikti mes autorit Kamber Sulçe dhe Gazment Braçit për dritat e gjata të makinës, që pasoi edhe ngjarjen e rëndë.
Katër personat që shoqëronin italianin u shoqëruan nga policia, por u lanë të lirë pasi u morën në pyetje maratonës së marrjes në pyetje.
Gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta, tha pak ditë më parë në "Off the Record" me Andrea Dangllin, se autori ka qëlluar pesë herë me një armë që përdoret për gjueti, por vetëm një plumb kapi biznesmenin në femur, çka i shkaktoi hemorragji dhe për pasojë humbjen e jetës.
Sipas informacioneve zyrtare të siguruar nga gazetari Igli Çelmeta, në banesën e Kamber Sulçes janë gjetur edhe armë të tjera pa leje, ndërsa vetë autori ishte person me precedentë penalë.
Gazetari i A2 CNN theksoi pak ditë më parë në "Off the Record" me Andrea Dangllin se Sulçe banon në një fshat tjetër të Vlorës që është 68 km larg nga vendi i ngjarjes dhe nga ku kishte stanin. (A2 Televizion)