11 nëntor 2025. Ora 14:25. Një “Mercedes” luksoz del nga parkingu i Aeroportit të Rinasit. Brenda tij janë dy burra, që sapo kanë prekur tokën shqiptare pas një fluturimi direkt nga Barcelona. Në ndenjësen e parë të pasagjerit Gilmando Dani, krahu i djathtë dhe njeriu më i besuar i Emiliano Shullazit, një emër që peshon rëndë në dosjet e krimit të organizuar.
Në timon, 42-vjeçari Muçi Shaljani (Sheqeri), një njeri pa precedentë penalë. Udhëtimi i tyre do të ndalej pas vetëm pak metrash. Pranë rrethrrotullimit në krah të aeroportit, në një zonë të blinduar nga kamerat e sigurisë dhe sytë e kalimtarëve të dy u gjendën ballë një toge pushkatimi. Tre persona të maskuar derdhin pa mëshirë breshëri automatiku drejt tyre. E gjitha në mes të ditës. Në mes të rrugës. Aty ku siguria duhet të ishte kryefjalë.
Bilanci është tragjik. Gilmando Dani vdes në vend. Muçi Shaljani plagoset rëndë dhe ndërron jetë pak ditë më vonë. Veç këtij bilanci, një tjetër fakt tronditi grupin hetimor në vendin e ngjarjes. Në automjetin e viktimave, në sendet personale të Shalianit u gjet një kartë identifikuese si ato të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, me numër ID AMP 054. Dokumenti mbante emrin e tij dhe ishte origjinal. Personi që shoqëronte Gilmando Danin në Barcelonë e gjetkë ishte agjent i AMP, një institucion kyç në strukturën e sigurisë së shtetit.
Në këtë episod të NEWSROOM, do të udhëtojmë në dritëhijet e një skandali që ka prekur shtyllat e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Si mundi Muçi Shaljani të bëhej pjesë e AMP? Pse zyrtarë të lartë institucionit janë angazhuar për emrin e tij, 3 muaj përpara se ai vetë të aplikonte për këtë vend pune! Pse nuk iu nënshtrua konkurrimit? Si u emërua me emergjencë me një kontratë të përkohshme, kur institucioni nuk kishte asfare emergjencë? Cilat ishin “porositë më SMS” për punësimin e tij dhe pse dokumente të Shaljanit qarkullonin mes Whats-app-eve të zyrtarëve të AMP?
Do hedhim dritë në të gjitha këto hije, bazuar në hetimin e drejtuar nga prokurori i Tiranës, Bledar Valiaj, që në ditët e fundit të marsit ngarkoi me përgjegjësinë penale të “shpërdorimit të detyrës” për këtë çështje ish-kreun e komanduar të AMP, Artiol Saliasi dhe drejtorin e Financës, Gëzim Sala.
KONTRATË PA APLIKIM
Dosja hetimore zbulon një kronologji të pazakontë. Muçi Shaljani u pranua në radhët e AMP më 15 shtator 2025. Urdhri për emërimin mban firmën e drejtorit të komanduar të kohës, Artiol Saliasi.
Në pikën 1 të urdhrit saktësohej se aplikanti Muçi Shaljani pranohej në AMP me kontatë për përkohshme dhe për nevoja emergjente. Detyra e tij do të ishte ajo e Ndihmës specialistit në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së.
“Në bazë të këtij urdhëri është lidhur kontrata e punës e përkohshme tre mujore me nr. 3568 Prot., datë 15.09.2025 e cila është e nënshkruar nga konceptuesja Elda Uku, Specialist i Burimeve Njerëzore, miratuesi Drejtori i Financës, Gëzim Sala, Drejtori i Përgjithshëm i AMP i autorizuar në rubrikën punëdhënësi, Artjol Saliasi. Në rubrikën punëmarrësi është shënuar me kompjuter Muçi Shaljani dhe është vendosur një nënshkrim i cili me sy të lirë ndryshon nga nënshkrimi në kërkesën e paraqitur dhe formulari i aplikimit. Në vijim, shtetasi Muçi Enver Shaljani, me funksion ‘Specialist’ pranë AMP është pajisur me kartën përkatëse me nr. ID AMP 054”, thuhet në dosjen hetimore.
Por e vërteta nis shumë më herët. Hetimi ka konstatuar se që në muajin qershor 2025, pra 3 muaj para punësimit të Shaljanit, Gëzim Sala, drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse i ishte drejtuar me shkresë Komisariatit nr. 3 në Tiranë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për vërtetimin e besueshmërisë së Shalianit. Sala është shprehur se kishte qenë kërkesë e ish-drejtorit të AMP, Florian Sulejmani.
Vetë i ndjeri Shaliani rezulton se ka bërë kërkesë me shkrim për t’u përfshirë në AMP më 9 shtator 2025. Ndërsa formularin e aplikimit për pranim në AMP ai e ka nënshkruar gati një javë më vonë, më 16 shtator, pra një ditë pasi ishte pranuar në detyrë. Por kujdes, mos harroni që Prokuroria e Tiranës ka konstatuar se nënshkrimi i Shaljanit në formularin e aplikimit dhe në kërkesën është i ndryshëm, fakt që konstatohet me sy të lirë.
REKRUTIMI I SHALJANIT
“...Nga ish titullari i Agjencisë, i autorizuar në detyrë, z. Artiol Saliasi, jam thirrur në zyrën e tij dhe më ka dhënë për të administruar një praktikë dokumentare në të cilën ishte kërkesa për të filluar punë në AMP e shtetasit Muçi Shaljani. Bashkëlidhur kërkesës ishte dhe dokumentacioni tjetër që përbëhej nga vërtetime të ndryshme nga institucionet. Kjo praktikë dokumentare ishte e protokolluar”.
Gëzim Sala, shef i Financës në AMP, nga dosja hetimore
Por ajo që ngre hije të forta dyshimi, ka qenë diskutimi që shefit të financës pretendon të ketë bërë me drejtorin e komanduar të AMP, Saliasi.
Nga dosja hetimore: “Kur mora praktikën nga titullari i autorizuar z. Artiol Saliasi, konstatova se në dokumente mungonte diploma. Në këto kushte i thashë z. Artiol Saliasi që mungonte diploma si dhe e pyeta ‘Ça do të bëhet me këtë shtetas?’. Artioli mu përgjigj që ‘Do ta marrim përkohësisht për tre muaj sepse e kemi emergjente. E quajmë si periudhë trajnimi dhe më pas bëjmë shpalljen vakant dhe e fusim me konkurrim, meqë plotëson kriteret". Unë i kam thënë që kjo nuk është procedurë ligjore por ai më tha që do ta marrim do ta fusim në konkurrim dhe do ta bëjmë të ligjshme".
Gëzim Sala, shef i Financës në AMP
Për mungesën e diplomës në dosjen me dokumente të Shaljanit, Sala, ka pretenduar se titullari i komanduar, Saliasi, e ka drejtuar për tek një tjetër zyrtar i institucionit, tek drejtori i Inspektimit, Gerald Shahu, nga ana e tij, njohje e Muçi Shaljanit. Sipas Salës, situata u zgjidh me një foto.
Nga dosja hetimore: “Kur fola me Geraldin, ai më dërgoi foton e diplomës dhe unë i kam thënë që të lidhej me specialisten Elda Uku. Ata janë lidhur dhe kanë administruar dokumentacionin. Në vijim janë hartuar Urdhri Nr. 675 datë 15.09.2025 ‘Për pranimin e përkohshëm në detyrë të një aplikanti në AMP" dhe "Kontratë pune e përkohshme tre mujore" Nr 3568 datë 15.09.2025. Këto dokumente u përpiluan pasi u krijua bindja mbi bazën e shkresave përkatëse nga Policia dhe SHISH”.
Gëzim Sala, shef i Financës në AMP
Në shpjegimet e dhënë para prokurorëve, Gëzim Sala, ka këmbëngulur se procedura e punësimit të Muçi Shaljanit, ka qenë e rregullt, sipas Kodit të Punës. Specialistja e burimeve njerëzore në AMP, Elda Uku, funksionarja që konceptoi urdhrin dhe kontratën e ka pretenduar si lapsus njerëzor, faktin që ka harruar të citojë dispozitën e rregullores që përcakton “pranimin dhe emërimin në detyrë”. Ndërkohë ajo ka konfirmuar se Shaljani nuk i është nënshtruar asnjë konkurrimi për t’u bërë pjesë e AMP.
Nga dosja hetimore: “Ky aplikant (Shaljani) nuk i është nënshtruar konkurrimit. Rrethanat në të cilat është pranuar është emergjenca për vendin vakant të atij sektori. Vlerësimin se ishte rast emergjent mua ma ka thënë drejtor Gëzimi. Unë jam specialiste dhe politikat e kuadrit i bëjnë eprorët e mi me të cilët në këtë rast u konsultuam. Pra këtë Urdhër unë nuk e kam bërë nga vetja por vetëm pas konsultës me Drejtorin tim, i cili pasi e kontrolloi konceptimin dhe e ka miratuar me nënshkrimin përkatës”.
Elda Uku, Specialiste e burimeve njerëzore
Por sikur të mos mjaftonte mungesa e konkurrimit, sipas ligjit, sipas hetimit, Shaljani ka firmosur kontratën e punësimit në AMP, ende pa aplikuar për punën. Ky dokument, sipas zyrtarëve të AMP është shtuar më pas në dosje.
Nga dosja hetimore: “Kontratë pune e përkohshme 3-mujore” nr. 3568 datë 15.09.2025, është përpiluar nga ana ime dhe shtetasi Muçi Shaljani e ka nënshkruar në praninë time në çdo faqe të kontratës. I pranishëm aty ishte dhe kolegu Gerald Shahu. Në praktikën dokumentare që kishte sjellë shtetasi Muçi Shaljani, mungonte ky formular pra ‘Formularin e aplikimit për pranimin në AMP". Në këto kushte unë i kam thënë kolegut Gerald Shahut që të lajmëronte shtetasin Muçi Shaliani që të sillte formularin e plotësuar. Unëi thashë Geri Shahut në këtë rast sepse Geraldi ka qenë prezent dhe e ka shoqëruar te zyra ime kur ky shtetas ka nënshkruar kontratën që folëm më lart. Geraldi e ka lajmëruar. Muçi Shaljani ka ardhur dhe ka sjellë formularin e plotësuar. Nuk e mbaj mend ishin të dy me Geraldin apo vetëm aplikanti.
Elda Uku, Specialiste e burimeve njerëzore
KUSH E KISHTE ME EMERGJENCË?!
Si të ishte një patate e nxehtë në duart e tyre procedura e ndjekur për Shaljanin, në deklarimet në prokurori zyrtarët e AMP kanë qëndruar në llogoret përkatëse, duke përdorur si karta mbrojtëse zbatimin e procedurave ligjore, kompetencave dhe burokracive institucionale. Por ajo që mbetet zbuluar dhe pa një argument bindës e të logjikshëm justifikues është motivimi si emergjent i punësimit të Shaljanit. Ngrehina prej rëre e një situate emergjente në AMP është shembur mes dëshmisë së shefit të Sektorit të Forcës Operacionale.
Nga dosja hetimore: “Është pyetur shtetasi Arben Hysenukaj, me detyrë shef sektori të FPO në AMP, i cili ka treguar se nuk e ka njohur asnjëherë shtetasin Shaljani personalisht, nuk ka paraqitur asnjëherë kërkesë me shkrim apo verbal të eprorëve të tij për punësime emergjente, pasi në sektorin që ai drejtonte nuk ka pasur nevoja emergjente. Nuk ka pasur kurrë dijeni nëse shtetasi Muçi Shaljani udhëtonte jashtë shtetit”.
BALLAFAQIMI NË PROKURORI
Prokurori Valikaj ka konstatuar kundërthënie mes deklaratave të Gëzim Salës dhe Artiol Saliasit. Për këtë arsye dy zyrtarët janë vënë përballë njëri tjetrit në prokurori. Edhe pse e pasqyruar në një procesverbal shkresor, tensioni është lehtësisht i perceptueshëm.
Nga dosja hetimore: “Gjatë ballafaqimit deklarojnë të dy se i qëndrojnë deklarimeve të motivit për nevoja emergjente. Gëzim Sala pyet Artjol Saliasin "A ma ke kërkuar ti?". Artjol Saliasi i përgjigjet “motivin e punësimit për nevoja emergjente nuk ja kam sugjeruar as kërkuar unë Gëzim Salës". Gëzim Sala pyet Artjol Sailiasin "nëse urdhri i emërimit dhe kontrata e punës nuk do të ishin nënshkruar nga ana juaj a do të merrte formë ligjore akti?". Shtetasi Artjol Saliasi i përgjigjet shtetasit Gëzim Salës: “...nëse nuk do të më kishin ardhur akte të përpiluara për punësimin e Muçi Shaljanit unë nuk do të kisha firmosur asnjë akt”. Në përfundim, të dy i qëndrojnë plotësisht deklarimeve të mëparshme”.
ID E SHALIJANIT TEK ISH-DREJTORI I AMP
Investigimi penal i çështjes ka ekspozuar faktin se angazhimi i titullarëve të AMP për Muçi Shaljanin nuk kufizohet vetëm tek Artiol Saliasi. I pari që rezulton të jetë përfshirë në procesin e rekrutimit të Shaljanit në AMP është pararendësi i Saliasit në krye të institucionit, Florian Sulejmani. Ky i fundit ka urdhëruar vartësit e tij të kryejnë veprime, në një kohë që zyrtarisht, Muçi Shaljani nuk kishte shfaqur asnjë interes për të qenë në AMP.
Drejtori i Financës, Sala, ka rrëfyer në prokurori se Florian Sulejmani i kishte kërkuar në muajin qershor 2025 të bënte kërkesë për Vërtetim Besueshmërie në Polici dhe në SHISH për Muçi Shalianin. Sipas Salës, Sulejmani i kishte përcjellë në aplikacionin WhatsApp gjeneralitetet dhe foton e kartës së identitetit të Muçi Shalianit. Prokuroria thekson në aktet e saj se deklarimi i Salës për fillimin e komunikimit me ish-kreun e AMP, Florian Sulejmani, gjenden të dokumentuara nga këqyrja e telefonit celular të të dyshuarit Gëzim Sala. Kjo korrespondencë në WhatsApp mes titullarit të kohës dhe vartësit ka zgjuar interes për hetuesit, që i kanë marrë deklarime edhe Sulejmanit, person që ka mbajtur detyrën e kreut të AMP nga nëntori 2023 deri në korrik 2025.
Nga dosja hetimore: “(Florian Sulejmani) Nuk kujton të ketë pasur komunikim me shtetasin Gëzim Sala në lidhje me punësimin e Muçi Shaljanit pasi nuk ka material të ruajtur në telefon, por ka pasur komunikime të vazhdueshëm me zotin Sala për shkak të natyrës së marrëdhënieve të punës. Pasi ju vu në dispozicion këqyrja e komunikimeve të tij me shtetasin Gëzim Sala në lidhje me kartën e identitetit dhe numrin e telefonit të dërguara prej tij sqaron se u njoh me kryerjen dhe është komunikim i tij i natyrës administrative. Rast si gjithë të tjerët, pasi bazuar në kërkesat e shtetasit për punësim ka kërkuar të verifikohet pastërtia e figurës, veprime që duhen plotësuar për çdo individ, që duhet të punësohen. Nuk kujton të ketë pasur ndonjë kërkesë me shkrim. Nuk i kujtohet rasti i Muçi Shaljanit, por në këtë rast drejtori Gëzim Sala vepron në bazë të kërkesave, kjo provohet edhe nga komunikimet më tej, ku nga ana e Gëzimit nuk i është referuar mungesa e një kërkese”.
Prokuroria e Tiranës nënvizon në aktet e saj se Florian Sulejmani në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të AMP në këtë kohë nuk ka firmosur asnjë urdhër emërimi në detyrë për shtetasin Muçi Shaljani. Vetë shefi i Financës, ka pranuar përgjegjësi vetëm për anën formale të kontratës së punësimit të tij dhe jo përmbajtën e saj.
Nga dosja hetimore: “Shpjegoj se nënshkrimi im ka të bëjë me miratimin formal të kontratës dhe jo në përmbajtje. Procedura ligjore fillon me shpalljen e vendeve vakante, publikimi në faqen zyrtare me urdhër të titullarit, priten afatet e aplikimit, urdhër për tre Komisione, pranim, testim dhe apelim, dhe pasi përfundojnë dy komisionet e para dhe nxjerrin rezultatet, priten afatet e ankimimit për çdo rast. Në vijim, për fitues Komisioni i pranimit kryen verifikimet përfundimtare të cilat nënkuptojnë korrespondencën me institucionet ligjzbatuese. Pasi përfundon kjo fazë, mbi bazën e relacionit të komisionit që pasqyron rezultatet, titullari urdhëron vijimin e procedurave për emërimin në detyrë”.
Gëzim Sala, shef i Financës në AMP
PUNËSIM PA KONKURS
Nga sa dëgjuat është e qartë si drita e diellit, që i ndjeri Muçi Shaliani nuk ka kaluar asnjë nga këto hallka. Ndonëse hetimi i deritanishëm nuk ka provuar ndonjë element të korrupsionit, apo të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për ndonjë nga funksionarët e AMP, rekrutimi i Shaljanit pa konkurim radhët e agjentëve të Forcës Operacionale mbetet fakt.
Nga ana tjetër Muçi Shaljani, i emëruar zyrtarisht si ndihmës specialist në Forcën e Posaçme Operacionale të AMP nuk u shfaq thuajse kurrë në zyrë për të luftuar krimin brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Referuar kontratës, paga e tij mujore si funksionar i AMP ka nisur në 16 shtator 2025, por ai nuk ka shkelur në AMP pas kësaj date.
Nga dosja hetimore: “Janë këqyrur dhe marrë "Libri i hyrjes-daljes për qytetarët në institucion” i sekretuar me nr. 3447 prot., datë 09.09.2025 në të cilin rezulton se: shtetasi Muçi Shaljani ka hyrë në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të AMP, në 6 raste. Është pritur e shoqëruar nga punonjësi AMP Gerald Shahu, dhe në një rast ka shkuar te punonjës i AMP A.Bashari”.
Përkundrazi, ai duket se ka përdorur lirinë e tij të re për të udhëtuar jashtë shtetit.
Nga dosja hetimore: “Pas punësimit, shtetasi Muçi Shaljani ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë disa herë në datat 22.09.2025, 19.10.2025, 26.10.2025, 07.11.2025 ku ka qëndruar disa ditë. Në daljen e tij të fundit, në datën 07.11.2025 ku ka udhëtuar me WizzAir Barcelona. Rezulton në të njëjtën datë, në të njëjtën orë, me të njëjtin fluturim edhe shtetasi Gilmando DANI (i njohur për përfshirjen e tij në kriminalitet)”.
Me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj, Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra Gëzim Salën, si edhe i ndaloi daljen jashtë vendit, masa që u shfuqizuan më pas në Apel. Në sallën e gjyqit, prokurori ka bërë evident para gjykatës, kostot e një emërimi të pamerituar në AMP.
“Ndodhemi përballë një fakti të rëndë ku kanë ndërruar jetë 2 persona. Është punësuar një person në sektorin e operacionales në mënyrë të parregullt që nuk ka shkuar asnjë ditë në punë. I punësuari në atë pozicion mund të kalojë me makinë kudo pa u ndaluar nga policia.
Është e vërtetë që personi nën hetim e ka dorëzuar vetë telefonin e tij. Pozicioni i tij i punë se bën të rrezikshëm për hetimet. Për këtë arsye kërkuam dhe ato masa sigurimi. Praktika e punësimit është përpiluar nga personi nën hetim. Nuk ka asgjë të shkruar ku të thuhet se ai ka shprehur kundërshtim për punësimin e personit. Kërkoj vazhdimin e zbatimit të masave të sigurimit caktuar nga gjykata”.
Nga pretendimet në gjyq të prokurorit Valikaj
Hetimi për gjetjen e autorëve ende të paidentifikuar të ekzekutimit të Gilmando Danit e Muçi Shaljanit është në duar e SPAK. Paralelisht, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy zyrtarët Artiol Saliasi dhe Gëzim Sala mbi mënyrën e rekrutimit të Shaljanit.
Por pyetjet e njollave të errëta në këtë situatë, ende nuk i kanë të gjitha përgjigjet. Për kë punonte me të vërtetë i ndjeri Muçi Shaljani, për shtetin që e bëri pjesë të një prej institucioneve më të rëndësishme të tij, apo për anëtarë të botës së krimit, me të cilët ndau fluturimin e fundit.
Zyrtarët e vënë nën akuzë prezumohen të pafajshëm derisa për ta nuk ka një vendim fajësie të formës së prerë. Fati i ecurisë së procedimit penal ndaj tyre ende nuk dihet.
Ajo që mund të themi me siguri, është se ky rast është një dëshmi e dhimbshme se si anashkalimi i procedurave ligjore dhe “emergjencat” e rreme, janë të mjaftueshme për të dëmtuar rrënjësisht integritetin dhe besueshmërinë e institucioneve më të larta të sigurisë në vend. (A2 Televizion)