Siguroi kushtet për vrasjen e 3 personave, në kërkim nga SPAK, ekstradohet nga Italia “Leksi i druve”

Nga Igli Çelmeta
9 Prill 2026, 16:15 | Kronikë

49-vjeçari Aleks Ndreka alias Deda, i njohur me nofkën “Leksi i Druve”, është ekstraduar këtë të enjte nga Italia drejt Shqipërisë.

49-vjeçari nga Lezha ishte shpallur në kërkim nga SPAK në korrik të vitit 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”.

Sipas SPAK, Aleks Ndreka dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e informacioneve për vendndodhjen e Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ndreka akuzohet se ka bashkëpunuar me Prekë Kodra për organizimin e atentateve ndaj tyre.

Pas shpalljes në kërkim nga SPAK, Aleks Ndreka u arrestua në qershor të vitit 2024, në Itali, në aeroportin e Malpensës, në Milano.

Aleks Ndreka konsiderohet një emër i njohur në botën e krimit në Shqipëri, ndërsa është përmendur edhe në dosjen “Revanshi” të SPAK, ku nga komunikimet në aplikacionin SKY ECC, ish-deputeti socialist Arben Ndoka e lidh Aleks Ndrekën me vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka, duke pretenduar se ka qenë “Leksi i Druve” që ka strehuar vrasësin e vëllait të tij.

49-vjeçari Aleks Ndreka rezulton të ketë qenë disa herë shënjestër e atentateve të dështuara ndër vite, përfshirë edhe një me dron. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos