Pas një seance që ka zgjatur disa orë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka komunikuar akuzat për 24 personat e përfshirë në skandalin me tenderët në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
GJKKO la të pandryshuar masën “arrest në burg” për Edmond Tërthorjan, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
E njëjta masë është konfirmuar edhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat i dyshuar për veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ndërkohë që Gjykata ka lehtësuar masën e sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje për 5 të dyshuar të tjerë, teksa për pjesën tjetër masat mbeten të pandryshuara.
Nga hetimet me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit, janë hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me vlerë të prokurimit prej 90.000.000 lekë.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Ilir Kapaj dhe Romina Koto me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe përgjegjësi i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.
Veprimet e kundërligjshme të tyre kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.
Nga hetimet rezulton po ashtu se shkelje ka pasur edhe pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI. Gjithashtu janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit. (A2 Televizion)