“Arrest me burg” me afat 60-ditor ka vendosur Gjykata e Fierit për 4 prej të arrestuarve në kuadër të operacionit policor të koduar XUEX për goditjen e skemave piramidale online dhe “detyrim paraqitje” për dy kamarierët Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj.
Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi, mbërritën në gjykatë rreth orës 8:30 të ditës së sotme të shoqëruar nga dy furgonë policie, ndërsa në ambientet e jashtme ndodheshin familjarë të tyre. Në seancën me dyer të mbyllura ata kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtar. Genci Busho dhe prokurore Jonida Allushi. Seanca është ndërprerë pas gati tre orësh ndërsa vendimi është dhënë në orën 14:30.
A2 CNN mëson se para togave të zeza, 6 të akuzuarit kanë thënë se janë viktima të situatës. Ndërkohë, për mediat nëna dhe tezja e një prej të arrestuarve, kamarierit Emanuel Taullau, ka pohuar se nuk e dinin që kjo ishte e gabuar. Ia dhashë vetë lekët djalit, ka thënë nëna e Emanuelit.
Mbi 6 të akuzuarit rëndojnë akuzat “Skema piramidale online“ dhe “ Mashtrim kompjuterik” Ndërkohë operacioni i bluve të Fierit vijon dhe pritet që në ditët në vijim të ketë edhe arrestime të tjera , ndërsa në kërkim janë edhe çifti i bashkëshortëve Erledio dhe Alma Shebeku.
Operacioni u shtri në disa qytete, por filloi dhe u finalizua në Qarkun Fier, ku rezulton edhe numri më i lartë i të mashtruarve, veçanërisht në Lushnje dhe Divjakë, ku pjesë e skemës kanë qenë edhe punonjës të administratës shtetërore. (A2 Televizion)