Albana Koçiu është edhe pak ditë larg nga dyert e Ministrisë së Brendshme. Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është vënë në lëvizje për të kryer disa punë, peng i një ngërçi njëvjeçar. Me ndryshimin e ministrit te Brendshëm, edhe në strukturën drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të ketë emra të rinj për drejtorët e departamenteve. Ilir Proda ka hapur garën.
Sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit që u miratua një vit më parë, drejtori i përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve do të zgjidheshin me konkurs. Por gara për drejtorët e departamenteve në drejtorinë e Përgjithshme nuk u zhvillua dhe mbeti pezull, për arsye ende të paqarta, shkruan A2 CNN. Edhe pse drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi dha dorëheqjen që në muajin korrik, ende nuk kemi një drejtor të ri për këtë departament. E njëjta situatë ndodhi edhe me drejtorin për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku, i cili u dorëhoq.
Burime zyrtare në Policinë e Shtetit i thanë televizionit A2 CNN se tashmë gara do të hapet dhe do të kemi një ristrukturim të kupolës drejtuese në drejtorinë e Përgjithshme. Gara për çdo drejtues departamenti do të zgjasë një muaj, ku aplikantët do të vlerësohen me pikë nga një komision i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Konkursi do të zhvillohet për drejtorin e departamentit për Policinë Kriminale, për Marrëdhëniet ndërkombëtare, për Migracionin dhe kufirin, për Rendin dhe Sigurinë publike dhe për drejtuesin e departamentit të IT.
Ligji i ri për Policinë e Shtetit e përcakton qartë se pas garës, emrat fitues për drejtor departamenti në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë i propozohen ministrit nga drejtori i përgjithshëm. Ministri i Brendshëm është ai që hedh firmën i fundit. (A2 Televizion)