“Skifteri” nga Mamurrasi i fiksuar pas taksive dhe karburanteve, vijonte grabitjet edhe pse ishte në kërkim nga policia

Nga Igli Çelmeta
6 Janar 2026, 09:16 | Kronikë

Shumë taksistë dhe pika karburanti kanë rënë disa herë pre e grabitjeve me armë të 29-vjeçarit nga Mamurrasi Emilian Nikolli, alias Lleshi. I riu pothuajse në të gjitha grabitjet ka përdorur të njëjtin skenar, shkruan A2 CNN. Ai porosiste taksi me telefon, më pas pasi i dërgonte në destinacion dhe i grabiste  me armë duke i marrë paratë dhe telefonin.

Përveç grabitjeve të djeshme dhe të datës 27 dhjetor, ai ka kryer disa grabitje edhe më parë me të njëjtën skemë. Më datë 30 maj, së bashku me një vajzë, i kanë vjedhur një shumë parash një drejtuesi taksie në fshatin Fushë Mamurras dhe e kanë kanosur me armë.

Më datë 10 maj, dyshohet se 29-vjeçari ka hyrë i maskuar në ambientet e një karburanti në fshatin Fushë Gjormë, ka kanosur punonjësin dhe me partneren e tij në krim, 23-vjeçare, i kanë vjedhur xhiron ditore.

I riu prej kohësh është shpallur në kërkim nga policia, por nuk është kapur. Jo vetëm kaq, edhe pse në kërkim, ai vijonte të kryente grabitje, siç ndodhi të hënën, ku kreu tri të tilla brenda ditës, një në Fushë Krujë, Milot dhe Rubik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos