Grabiti dy vëllezër dhe i shantazhoi duke u kërkuar para, arrestohet 32-vjeçari

Nga A2 CNN
3 Janar 2025, 10:42 | Kronikë

Grabitja e dy vëllezërve, të cilët më pas edhe i shantazhoi duke u kërkuar para në këmbim të telefonit, e ka çuar pas hekurave shtetasin Zikjan Lela. Ngjarja ka ndodhur në Shkodër, ku nën kërcënimin e armës 32-vjeçari i ka vjedhur celularin një 24-vjeçari dhe vëllait të këtij të fundit.

Më pas autori u ka kërkuar atyre një shumë parash për t’ju kthyer telefonin, ndërsa policia e ka arrestuar në flagrancë në momentin kur do të kryhej shkëmbimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar  “Return”, kapën dhe vunë  në pranga shtetasin Z. L., 32 vjeç,  lindur në Tiranë  dhe banues në Shkodër. Ky shtetas në lagjen “Qemal Stafa” dyshohet se nën kërcënimin e armës,  i ka marrë një celular shtetasit E. M., 24 vjeç, i cili ishte së bashku me vëllain e tij,  dhe një ditë 32-vjeçari, u ka kërkuar 20.000 lekë për kthimin e celularit, lekë të cilat i ka  marrë por nuk e ka kthyer celularin. Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar  në cilësinë e provës materiale shumën  e parave dhe celularin që ky shtetas i mori dy vëllezërve”, informon policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos