SPAK zbardh detajet/ "Sky ECC" dhe "Hawala", si funksiononte grupi i 6 tonëve kokainë

Nga Armand Bajrami
26 Korrik 2025, 19:07 | Kronikë

SPAK ndau detaje të hetimit të një grupi kriminal të trafikimit të 6 tonëve kokainë, me vlerë tregu 411 milionë euro nga Amerika Latine në Europë.

Për këtë hetim, Strutura e Posaçme siguroi urdhër-arreste për 7 persona, mes të cilëve edhe Plarent Dervishaj, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Erion Alibej, i penduar i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, shkruan A2.

Të dyve ju komunikua masa e arrestit në qeli, ndërsa Policia mundi të gjejë dhe arrestojë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ermin Ndrejën e Ilir Lloshin, ndërsa i shtati është shpallur në kërkim. SPAK ka ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në pesë episode të trafikut të kokainës në vitin 2020, ku janë sekuestruar 400 kg në Spanjë, 989 kg në Belgjikë, 250 në kanalin mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe dy ngarkesa me nga 2 mijë dhe 1484 kg në Holandë.

Po ashtu, ata dyshohen edhe për tre episode të trafikut të kanabisit në Itali dhe Spanjë. Sipas Strukturës së Posaçme, grupi kriminal kishte një organizim të sofistikuar. Droga nisej kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori me kontenierë drejt porteve të mëdha europiane në Belgjikë e Holandë, por në disa raste edhe në Itali e Spanjë. Lënda narkotike maskohej në ngarkesa me paleta druri, në kuti me banane, apo në thasë me kokrra kakaoje si mall tregtar, duke shmangur kontrollin doganor.

Sipas prokurorëve të çështjes, Altin Dumani e Adnan Xholi, struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare. Grupi kishte hierarki dhe role të veçanta, ku drejtuesit që jetonin në vende të BE, Britaninë e Madhe apo Dubai, jo vetëm ideonin, financonin dhe garantonin operacionet e trafikut të drogës, por edhe mbanin kontaktet me lidhjet e tyre në porte, apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të BE.

Referuar hetimit, gjithçka mbahej nën kontroll përmes komunikimit në aplikacionin SKY ECC. Ndërsa për kryerjen e pagesave, grupi kishte shmangur sistemin bankar, duke përdorur sistemin informal “Hawala”.

Verifikimi i shumave bëhen përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike, që funksiononin si kod simbol për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës.

Nga kontrollet e kryera gjatë arrestimit të të dyshuarve u sekuestruan 43 mijë euro, 5 mijë franga zviceriane, 3 automjete luksoze, njëmjet lundrues, një dron, disa hard disqe, si edhe dhjetra karta bankare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos