Kontrolle intensive nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Frontex, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe për kapjen e shtetasve në kërkim.
Tentativa për të hyrë në Shqipëri me një shumë të konsiderueshme parash, e një 41-vjeçari shqiptar, është ndaluar nga oficerët e Frontex dhe policisë Kufitare në Kakavijë.
Policia bën me dije se i ka sekuestruar 41-vjeçarit, i cili rezulton i shpallur në kërkim për vjedhje, shumën prej 160.000 euro.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë kanë kapur në afërsi të një karburanti, në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin për të hyrë në Shqipëri, shtetasin A. Sh., 41 vjeç, rezident në Greqi. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 41-vjeçarit shërbimet e Policisë gjetën në çantën e shpinës, disa zarfe brenda të cilave kishte 160.000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar. Gjithashtu, si rezultat i verifikimeve të kryera ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja". Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga ana e DVP Tiranë, u bë ndalimi i tij”, njofton policia. (A2 Televizion)