
Policia e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar në Bulevardin “Nënë Tereza”, i cili akuzohet se tentoi të vriste një person me armë zjarri rreth tri javë më parë, raporton A2 CNN. Në pranga ranë edhe 2 përkrahës të 36-vjeçarit. Sipas policisë, njëri e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, kur kreu krimin, ndërsa tjetri shoqërohej me të, në momentin e ndalimit.
“Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri, të shtetasit Marilen Jata në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23.11.2025, u finalizua operacioni “Akuza”.
Në kuadër të operacionit, u lokalizuan dhe u ndaluan shtetasit:
- Fatmir Frroku, 36 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
- Izet Leka, 32 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi Marsildo Ndoja, 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Fatmir Frroku ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin Marilen Jata dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi Izet Leka, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin Marsildo Ndoja, nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, tha policia. (A2 Televizion)