Teprimi me “arrestin me burg”, 16 gjyqtarë të lartë do të venë “piketat” se kur duhet

Nga Armand Bajrami
9 Prill 2026, 19:05 | Kronikë

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën të enjten për të rishikuar një vendim unifikues të vitit 2011. Qëllimi ishte standardizimi i praktikës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke e përshtatur me ndryshimet që ka pësuar Kodi Penal gjatë 15 viteve, si edhe praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Mbledhja e 16 gjyqtarëve në detyrë u nxit nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, pasi në këtë gjykatë mbërriti një rekurs i Prokurorisë së Apelit, që kërkonte të kthente në burg një qytetar nga Lezha, të akuzuar për mbajtjen e 7.3 kg kanabis, që Gjykata e Apelit e kishte çuar në “arrest shtëpie”.

Në thelbin e debatit për praktikën që do të unifikohet ishte nëse gjykata duhet të argumentojë vetëm pse caktoi “arrest në burg”, apo edhe pse nuk mund të caktohej një masë më e butë; të mjaftohet vetëm me rrezikshmërinë e veprës penale, apo të analizojë rrethana të tjera të personit të dyshuar dhe nëse nevojën e masës duhet ta provojë vetëm prokurori apo edhe i dyshuari.

Për zv. Prokurorin e Përgjithshëm, Arqile Koça, u dakordësua që gjykata duhet të arsyetojë edhe masën e marrë, edhe pse nuk vlenin të tjerat, por këmbënguli se justifikimi i “arrestit në burg” i takon vetëm prokurorit. Ai shprehu shqetësim që të mos kalohet në një ekstrem që cenon interesin publik.

Sipas Koça-s: “Të paktën në arsyetimet e gjykatave, nuk përcaktohet se si do ta zbatojnë dhe si do ta garantojnë që ky person do të vijë në gjyq. Por mjaftohen me faktin që nuk është në burg, të dalë jashtë. Ok, të dalë, por si do ta sigurojmë që ky do të vijë në seancë gjyqësore.”

Sipas avokatit Luan Hasneziri, ish-gjyqtar, firmën e të cilit e mbajnë mijëra masa sigurimi, “arrest në burg” nuk mund të justifikohet vetëm me rrezikshmërinë e veprës penale dhe këtu avokati veçoi intelektualët që mund të përfshihen në krim.

Sipas Hasnezirit: “Të gjithë jemi të gabueshëm në këtë jetë, në këtë botë, dhe në qoftë se kemi një intelektual, me arsim të lartë, por që në një moment lajthiti në jetën e tij dhe t’i mbyllim jetën duke e çuar automatikisht në ‘arrest në burg’, ndërkohë që mund të zbatohen masa të tjera të sigurimit, mendoj që është diçka e kapërcyer.”

Vendimet unifikuese janë jo vetëm orientuese, por edhe detyruese për gjykatat më të ulëta. Nisma e Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës unifikuese të caktimit të masës “arrest në burg”, në fillim të marsit, shkaktoi debat në arenën politike, për shkak se aktorë të opozitës pretenduan se pas kësaj ndërmarrjeje qëndron qëllimi për të liruar nga qelia zyrtarët e lartë të arrestuar nga SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos