Pas më shumë se 12 orë kërkimesh në zonën e Selenicës, policia e Vlorës ia ka dalë që të vërë në pranga një 44-vjeçar, i cili qëlloi me armë në gjendje të dehur duke terrorizuar banorët e zonës.
Në momentin e arrestimit, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ky shtetas qëlloi në ajër mbrëmjen e djeshme në fshatin Brataj.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, kanë zhvilluar kërkime të pandërprera gjatë gjithë natës, në kushtet e një terreni të vështirë malor dhe të pyllëzuar. Si rezultat, sot në mesditë, në kodrat e fshatit Brataj, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Brataj. 44-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti të çastit, si dhe me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin, ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe te të miturit”, informon policia. (A2 Televizion)