Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin për dy prej të akuzuarve për trafik të narkotikëve dhe grup të struktura kriminal si edhe për njërin prej tyre të akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Kështu për të pandehurve Aleks Nanaj (alias Adil Nano), gjykata vendosi ta shpallë fajtor për të dy veprat penale, por me një dënim të vetëm përfundimtar prej 16 vjet burgim. Sipas vendimit të gjykatës, ai duhet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleks Nanaj (alias Adil Nanaj) për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 2-të, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 16 (gjashtëmbëshjetë) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleks Nanaj (alias Adil Nanaj) për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i 1-rë i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Aleks Nanaj (alias Adil Nanaj) me një dënim të vetëm përfundimtar prej 16 (gjashtëmbëshjetë) vjet burgim”, njofton gjykata.
Ndërkohë për Emiljant (Emiljan) Lamkollari gjykata vendosi pushimin e çështjes për shkak se i pandehuri ka ndërruar jetë.
“Pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Emiljant Lamkollari (alias Emiljan Lamkollari), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi i 2-të dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i 2-të i Kodit Penal; si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 334 pika 1 të Kodit Penal, pasi në zbatim të neneve 387/1 dhe 328/1/ë rezulton se i pandehuri ka vdekur”.
Gjykata shpalli fajtor Pashk Sylan për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe vendosi një dënim prej 7 vitesh burg në një burg të sigurisë së zakonshme.
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Pashk Syla për kryerjen e veprës penale të “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 283, paragrafi i 2-të i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Pashk Syla të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme”.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
(A2 Televizion)