Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimet përfundimtare ndaj një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në Shqipëri dhe Norvegji, duke dhënë dënime të rënda me burg dhe urdhëruar konfiskime të shumta pasurie.
Flori Pali, i konsideruar organizator dhe drejtues i grupit kriminal, u dënua me 11 vjet burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal. Flori Pali ishte përgjegjës për trafikun e të paktën 4 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë drejt Norvegjisë gjatë viteve 2018-2019, në bashkëpunim me shtetasit Halit Xhini dhe Steven Cooper, të dënuar në Norvegji. Ai ka organizuar gjithashtu transferimin e të ardhurave kriminale nga Norvegjia në Shqipëri përmes rrjeteve financiare dhe personave të tretë.
Fredi Pali, vëllai i Flori Palit dhe bashkëpunëtor në menaxhimin e pasurive dhe parave të paligjshme, u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg, po ashtu me gjykim të shkurtuar. Ai ka luajtur rol kyç në fshehjen dhe qarkullimin e parave të përfituara nga veprimtaria kriminale, shkruan A2 CNN.
Në këtë grup kriminal ishte përfshirë dhe Anita Adilaj, e dënuar më parë me 6 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit e Posaçme. Ajo vepronte si llogaritare e bashkëjetuesit të saj, Halit Xhini, në Norvegji, dhe ishte e përfshirë në tregtinë e drogës dhe transferimin e parave drejt Shqipërisë.
Në kuadër të hetimeve dhe vendimeve të gjykatës, janë konfiskuar disa pasuri, përfshirë:
Dy apartamente në Tiranë, të regjistruara në emër të shoqërive të lidhura me Flori Palin.
Një automjet tip “Mercedes Benz E 220 CDI”, i vitit 2012.
Një automjet “Daimler Chrysler A200CDI”, në pronësi të Fredi Palit.
Një parcelë toke (arë) në Ishull Shëngjin, me sipërfaqe 1874 m², në emër të Flori Palit.
Tre telefona celularë.
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, pasi të pandehurit ishin me masë sigurimi “arrest në burg” dhe ndodheshin jashtë territorit shqiptar. Proçedimi penal nr.132 i vitit 2019 u zhvillua nga SPAK në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe autoritetet norvegjeze.
Me vendimin penal nr.6, datë 13.05.2025, gjykata urdhëroi kalimin përfundimtar të pasurive të sekuestruara në favor të shtetit, ndërsa Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara do të ndjekë ekzekutimin e tyre. (A2 Televizion)