Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka sqaruar ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqytet, ku një 42-vjeçar me probleme të shëndetit mendor rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë. Sipas Policisë 42-vjeçari ka përplasur me automjetin e tij 3 automjetet e policisë gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër një mjeke. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
Policia sqaron se ka vënë në pranga autorin, si edhe ka sekuestruan pistoletën me gogla, me të cilën qëlloi 42-vjeçari.
Njoftimi i Policisë
Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari.
Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari.
Rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre.
Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit. (A2 Televizion)