Kapet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale shtetasi Denis Dina. Më tetor 2024, ai ka transportuar rreth 1.1 kg kokainë nga Shqipëria në Kosovë nëpërmjet automjetit të tij.
Lëndën narkotike ja ka dorëzuar shtetasit A.F, në Prishtinë i cili gjatë ndjekjes nga policia e Kosovës e ka hedhur nga dritarja e automjetit pak para se të arrestohej gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Kosovare.
Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Kapet në Kukës një 31-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Kosova, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, paraditen e sotme është finalizuar një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, konkretisht:
Operacionalja 41, në kuadër të të cilit, nga ana e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë e mundur lokalizimi në qytetin e Kukësit, kapja dhe ndalimi me qëllim ekstradimi i shtetasit D. D., 31 vjeç, banues në Kukës.
Ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Prishtinës/Kosovë, më datë 14.04.2025, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për veprën penale “Shkelje e ligjit për lëndët narkotike (kokainë)”, të parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës.
Operacioni vijon për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. (A2 Televizion)