
Policia e Fierit ka arrestuar një 42-vjeçar, i cili kishte hedhur në treg ilaçe të skaduara dhe medikamente të futura kontrabandë. A2 CNN raporton se 42-vjeçarit Bojken Bregovina magazinonte në banesë medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skadenca”. Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të shtetasit B. B. Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme, ku një sasi e konsiderueshme e tyre ishte e skaduar dhe pjesa tjetër pa faturë tatimore. Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 42 vjeç, banues në Fier”, njofton policia.
Gjatë kontrollit në banesë atij iu gjetën dhe u sekuestruan 4289 kuti me medikamente, nga të cilat 1635 kuti të skaduara dhe 2654 kuti pa faturë tatimore. Sipas hetimeve, këto ilaçe furnizonin farmacitë e qytetit të Fierit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
(A2 Televizion)