Krimi në familje në Fier, flet vëllai i viktimës: Autori ishte problematik, 20 vite më parë kishte tentuar vetëvrasjen

Nga A2 CNN
25 Mars 2026, 12:01 | Kronikë

Krimi në familje në Fier, flet vëllai i viktimës: Autori

Ermal Azizaj, vëllai i Dashurisë, gruas e cila u vra një ditë më parë nga bashkëshorti i saj në fshatin Kuman të Fierit ka deklaruar se autori ka qenë një njeri problematik, i cili 20 vite më parë kishte tentuar edhe vetëvrasjen. Sipas tij konfliktet mes tyre kanë qenë të kota.

“Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë për atë ka qenë mbulesë. Kishte hije prindi të rëndë. Jo si baba të përqafojë fëmijën e gruan. Ja ai qen. Para 10 ditësh i denoncoi në polici, Shefiti krimineli. Pse? Sepse kishte mbjellë ca patate. Pse i mbolle këtu dhe jo aty. Këto janë konflikte koti. Ai ka qenë problematik. Para 20 vjetësh ka tentuar edhe vetëvrasje në mars 2006-ës. Arbeni është 50 vjeç”, tregon Azizaj, raporton A2 CNN.

Në një deklaratë për mediat ai rrëfeu edhe momentin kur mori vesh lajmin e trishtë me shpresën se do ta gjente të motrën gjallë.

“Në orën 3 pa çerek më merr nipi në telefon dhe më thotë; Kanë vdekur të dy dajë. E ka vrarë. Mora vëllain e madh në telefon për ta shpëtuar mos e gjeja gjallë”.

Sipas tij, familjarët nuk e kishin menduar kurrë se situata mund të arrinte deri në këtë pikë tragjike.

“Ne kemi marrë motrën tonë ta varrosim ku kemi nënë dhe babanë. Kurse atë e kam dhënë edhe me shkrim; groposeni në kanalin më të thellë ta hanë qentë. Kujt i shkonte mendja se do të kishte armë dhe do të bënte këtë gjë. Marrëdhëniet e Shefitit me të afërmit kanë qenë pothuajse inekzistente, me mungesë totale komunikimi. Nga njerëzit e tij nuk ka ardhur askush. Trupi ndodhet në morg”.

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në fshatin Kuman të Fierit, ku Shefit Rrapaj dyshohet se ka vrarë gruan e tij, Dashuri Rrapaj, dhe më pas veten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos