U dekonspirua operacioni ndaj Çopjave? Nisin hetimet, në filtër drejtori i policisë së Elbasanit dhe agjentë të BKH-së

Nga A2 CNN
17 Shtator 2024, 11:30 | Kronikë

SPAK ka nisur një hetim për dekonspirim të operacionit të ekzekutimit të masave të sigurisë për dosjen "Çopja".

Në filtër po kalojnë agjentë të policisë të Elbasanit dhe të BKH, të cilët kanë qenë në terren për të kryer arrestimet, shkruan A2 CNN.

Për llogari të hetimit janë sekuestruar disa aparate telefonikë, mes të cilëve edhe Ilir Prodës, drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë të Elbasanit. Proda është një nga zyrtarët e policisë që ka shfaqur interes për Drejtor te Përgjithshëm, edhe pse telefoni i është bllokuar nga SPAK para gati një muaji.

Sipas SPAK, vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, drejtuesit e një organizatë kriminale, që është përgjegjëse për disa ngjarje kriminale të ndodhura në harkun kohor 2018-2020, mes të cilave masakra e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.

Operacioni i SPAK u krye në fund të muajit korrik në të cilin u lëshuan 30 urdhërarreste, që u shtri në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

SPAK sqaroi në njoftimin në atë kohë për mediat se operacioni është kryer në bazë të procedimit penal nr.75, të vitit 2022, ku objekt i hetimit ishte veprimtaria e një organizate kriminale e cila kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët dyshohet se fshihen në Dubai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos