Xhemal Liçi, kambisti elbasanas që u qëllua me armë zjarri nga Nuredin Dumani gjatë grabitjes së dhjetorit të vitit 2012, dëshmoi të enjten në Gjykatën e Posaçme, në procesin ndaj të pandehurve të dosjes “Plumbi i Artë”. Kambisti tregoi se gjithçka kishte ndodhur para shtëpisë së tij, në lagjen Kala të Elbasanit, ndërsa po dilte për të shkuar në punë me një çantë që mbante 12 milionë lekë të rinj.
“I lashë lekët në bagazhin e makinës dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë. Kur u ktheva, pashë që ishin 4 vetë. Më qëlloi me pistoletë njëri, dy herë në gjoks dhe dy herë në këmbë. Pastaj më sulmuan fizikisht edhe të tjerët. U ngrita të futesha në shtëpi, por humba ndjenjat,” deklaroi dëshmitari.
Sipas tij, personat që e sulmuan mbanin kapuçë dhe uniforma doku blu, të ngjashme me ato të policisë, dhe ai nuk kishte arritur të njihte asnjërin prej tyre. Dëshmitari sqaroi se pas ngjarjes nuk kishte pasur asnjë të dyshuar, por dyshimet ia kishte shtuar sjellja dhe pyetjet e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, shkruan A2 CNN.
“Talon nuk e kam njohur. Vëllanë e tij po. Punonte taksist, në të zezë. Thyente ndonjë 20–30 euro tek dyqani im. Sa herë nuk kishte njeri më pyeste nëse kisha mësuar kush ishin ata personat. I thashë: ‘O Bujar, ty nuk të vjen keq për mua? Duket sikur ke mizë në kësulë. Ke ardhur deri tani, mos të të shoh më në dyqan”, tregoi Liçi.
Ai shtoi se një vit para arrestimit të Dumanit e kishte njohur Talo Çelën në një intervistë televizive: “E njoha nga përmasat e trupit dhe u thashë familjarëve: ‘Ky është një nga ata që më goditi’.” Personat e tjerë të përfshirë në grabitje dhe plagosjen e tij i kishte mësuar vetëm nga deklarimet e të penduarit Nuredin Dumani.
Sipas Dumanit, në grabitje kishin bashkëpunuar Talo Çela, Dorian Shkoza, Ardian Çollaku dhe Gent Sharra, ndërsa ai vetë kishte qenë personi që e kishte qëlluar me armë Xhemal Liçin. (A2 Televizion)