
Drejtoria e Burgjeve ka kryer për arsye sigurie transferimin e një të dënuari me burgim të përjetshëm, të identifikuar si Miklovan Parubi, nga IEVP Peqin në IEVP Burrel. Gjatë një kontrolli atij iu gjet lëndë narkotike e fshehur në një çorape.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike. Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse”, vijon njoftimi. (A2 Televizion)