Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ata të Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit u ndalën pasditen e së martës në Fierit, për të kryer kontrolle në kuadër të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Në kuadër të këtyre hetimeve, agjentët kanë ngritur një dron në sipërfaqe, i cili është afruar te bizneset e familjes së Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, tashmë anëtar i partisë “Djathtas 1912”. Por ngritja e dronit dhe makinat afër pronës së tyre kanë shqetësuar familjen Kapllanaj, pjesëtarë të së cilës janë përplasur jo vetëm verbalisht, por edhe fizikisht me agjentët e BKH-së dhe ata të Operacionales.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Zyrtarisht SPAK dhe policia nuk japin të dhëna se çfarë hetimi po kryhej, por mësohet se që prej datës 11 prill grupet e punës janë në terren për të hetuar mbi krimet zgjedhore. Ndërkohë, versionet e të dyja palëve të përfshira në incident janë kontradiktorë nga njëri-tjetri. Në reagimin e saj zyrtar, SPAK thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta të 15 prillit, në aksin Fier – Patos dhe se agjentët dhe efektivët janë sulmuar pa asnjë motiv. Po të njëjtin version tha edhe Policia e Fierit, ku theksohej se agjentët janë goditur për shkak të detyrës.
Ndërkohë, i kontaktuar nga A2 CNN, Agron Kapllanaj jep një tjetër version.
“Në parkimin e zyrave të subjektit politik që unë përfaqësoj, rreth orës 18:00 ishte parkuar një mjet i paloguar dhe aty është ngritur një dron. Ky veprim është bërë edhe në një kohë të dytë duke ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës. Roja i objektit u ka kërkuar shpjegime dhe ata i kanë thënë se po “kërkojnë të blejnë një pronë” dhe më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda. Pas debatit ata u larguan me mjetin e tyre por zyrtarë të subjektit politik dhe dy nipërit e mi i ndoqën”, u shpreh Kapllanaj për A2 CNN.
Sipas Kapllanajt në atë moment ka nisur debati dhe konfrontimi fizik mes tyre duke akuzuar agjentët se u kishin nxjerrë armën.
Versionet e të dyja palëve janë duke u verifikuar dhe hetuar nga një grup i posaçëm. Ndërsa në pranga përfunduan tre persona. Dy nipërit e Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudjo Kapllanaj, si dhe i njohuri i tyre Gerald Kollçaku. (A2 Televizion)