Ilir Paja, personazhi kriminal i lakuar me nofkën “UFO” në Itali, për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgje të sigurisë së lartë në këtë vend, do të rigjykohet në Apel për akuzat e “vrasjes”, “pengmarrjes”, “dhunimit seksual” dhe të “armëmbajtjes pa leje”.
Detyra kryesore e gjyqtarëve të Apelit të Përgjithshëm, që do të kenë në duar dosjen, është të përcaktojnë, nëse Ilir Paja është dënuara po jo për të njëjtat krime edhe nga gjykatat shqiptare dhe ato italiane. Kjo pas konstatimit të bërë me herët nga Gjykata Kushtetuese, se Pajës i është cenuar parimi i mosgjykimit dy herë për të njëjtën vepër penale.
Rigjykimi në Apel i Pajës me një trupë të re gjyqtarësh u urdhërua të premten nga Gjykata e Lartë. Mes këtij verdikti Kolegji Penal prishi dënimin me 25 vite e 4 muaj burg të dhënë më korrik 2023. Dënimi ishte dhënë ndaj Pajës nga Gjykata e Milanos, në Itali, përveçse e çoi në qeli Pajën në nëntor 2022, por edhe u njoh nga të tre shkallët e gjykimit në Shqipëri.
Ky qëndrim i drejtësisë shqiptare komplikoi situatën juridike të Pajës, i cili pretendoi se pala italiane e kishte dënuar për të njëjtat episode kriminale për të cilat ai ishte gjykuar 10 vite më parë në Shqipëri dhe se e kishte përfunduar edhe vuajtjen e dënimit.
Sipas të dhënave zyrtare, Paja ka vuajtur një dënim me 17 vite burg, i ardhur si bashkim i dy dënimeve nga Gjykata për Krimet e Rënda. Dënimi i parë ishte plagosjen e rëndë të një punonjësi policie gjatë operacionit për prangosjen e tij në vitin 2008. Ndërsa tjetri, bazuar në dosjen hetimore të përcjellë nga autoritetet italiane, ku Paja akuzohej për vrasjen e një shtetasi ekuadorian, tentativën e vrasjes së një tjetri, pengmarrjen e një rumuneje, dhunimin seksual të saj, si edhe të armëmbajtjes pa leje.
Pasi u riarrestua, Paja këmbënguli se ishte dënuar në Itali për të njëjtat fakte penale, por tre shkallë të gjykimit nuk e morën parasysh pretendimin e tij, derisa në prill 2025 Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje në rastin e tij dhe ktheu dosjen në Gjykatën e Lartë. (A2 Televizion)