Vdekja e Kadaresë, botuesi tregon “tmerrin” me Urgjencën, reagon Brataj

Nga A2 CNN
3 Korrik 2024, 16:32 | Kronikë

Bujar Hudhri, botuesi i shkrimtarit Ismail Kadare, rrëfeu çastet e fundit të ndarjes nga jeta deri te tmerri i urgjencës në rrugët me trafik. I pyetur nëse Kadare ka lënë një dorëshkrim, botuesi tregoi pasigurinë por edhe besimin se një botim i ri do të vijë.

“Sa herë që më ka shkuar mendja se një ditë e tillë do të vinte, mua më kujtohej Rinasi me avionin që sillte Kadarenë. Mbas një muaji që e përcillja sërish dhe e ndiqja me sy derisa avioni zhdukej. Në njëfarë mënyre, më duket sikur ai është në një planet tjetër, nuk është me ne. Kjo diku sot quhet panteoni i letërsisë botërore. Ai iku fizikisht, por vepra e tij e klasit të parë është pasuria më e madhe që i ka lënë këtij kombi. Kjo do të kuptohet në brezat që do të vijnë.

Ishte një moment shumë dramatik kur më lajmëruan menjëherë që të shkoja se diçka kishte ndodhur, kur e pash të shtrirë në atë korridor që e kisha parë shpesh herë në këmbë, të qeshur, solid, që dukej sikur nuk do të ikte kurrë nga kjo botë.

Më pas erdhi ambulanca, një ambulancë shumë e thjeshtë, pa ndonjë impiant që mund t’i vinte në ndihmë të sëmurit. Më pas me zor kemi çarë rrugët e Tiranës, ku megjithëse ulërinte sirena, njerëzit nuk hapnin rrugën. Po them, ai rreziku... në Shqipëri nuk të hapin rrugën. Unë e ndjeva, isha me shoferin, i cili gjithë kohën shante dhe thoshte kjo është e përditshmja. Kjo është alarmante. Këtu nuk them vetëm për Kadarenë, ky është një hall për të gjithë. Në urgjencë, të gjithë mjekët u angazhuan duke treguar se diçka jo e mirë po ndodhte dhe më pas heshtje”, u shpreh Hudhri.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, duke hedhur poshtë akuzat. Sipas tij, ambulanca që mori Kadarenë kishte të gjitha kushtet e nevojshme dhe se ndihma mjekësore shkrimtarit i është dhënë sipas protokollit.

“Mund të them se deklarata... nuk e di nëse një botues është në gjendje të vlerësojë një ekip mjekësor, apo ambulancë. Mund të them që prej 4 apo 5 vjetësh që Kadare është në Shqipëri ka pasur në dispozicion Urgjencën midis rezidencës festive në Qerret dhe në Tiranë. Sa herë ka qenë e nevojshme kemi qenë prezent. Personalisht kam pas një raport të tillë që për çdo gjë isha prezent. Nga interesimi që unë bëra, nga momenti që është bërë telefonata ka shkuar ekipi që ndodhej në Qendrën Shëndetësore numër 8 mbas shtëpisë, brenda pak minutash, e ka gjetur në kushte arresti dhe është filluar menjëherë reanimacioni kardiopulmonar. Janë përdorur 3 ampula të adrenalinës që bëjnë çdo 3,5 minuta, ventilimi. Ndërkohë, është dërguar një ekip i dytë nga vendngjarje, duke menduar se mund të ishte i nevojshëm transporti i menjëhershëm dhe mund të mos kishte nevojë për suport. Ndërkohë, edhe në ambientet e QSUT-së është vazhduar reanimacioni kardipulmonar më shumë se 30 minuta, më pas është intubuar dhe më pas ka vazhduar protokolli. Kështu, përgënjeshtroj çdo deklaratë që mund të bëhet nga kushto sepse kam qenë vet prezent dhe e di shumë mirë sesi është bërë dhe besoj është dëshmitare edhe vet familja Kadare, me të cilët kam qenë në kontakt dhe na kanë falënderuar herë pas here”, tha Brataj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos