Kishim dëgjuar deri tani për hetime, për akuza për të cilat u desh të përgjigjej edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, për kredi të këqija dhe menaxhim kriminal të mbledhjes së tyre.
Sot kemi një viktimë me emër dhe ai është Pal Trashaj. Ai humbi jetën mëngjesin e së mërkurës, një ditë pasi piu fostoksinë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas familjarëve i kishin marrë pasurinë përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive.
SPAK reagoi në lidhje me ngjarjen e rëndë. Sipas njoftimit të Prokurorisë Pal Trashaj u paraqit te oficeri i informacionit dhe kërkoi takim me një nga hetuesit e BKH për një çështje e cila pas verifikimeve rezultoi se i ka kaluar për kompetencë prokurorisë së Lezhës që në vitin 2022.
Prokuroria vijon duke sqaruar se ndërkohë që oficeri i informacionit mori kontakt me hetuesin e çështjes Trashaj doli jashtë në oborr duke mos ardhur për të marrë përgjigje.
Vetëm pas disa orësh janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga 63-vjeçari.
Djali i tij Gledis Trashaj tha për mediat se jo vetëm babait por edhe vetë tijI bllokuan pagën.Sinkron Gledis Trashaj, 63-vjeçari i cili njihet si studiues historie në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.
Sipas të dhënave që vijnë nga Lezha bëhet me dije se Pal Trashaj kishte një kredi të mbetur që nga viti2008, në vlerën e 76 mijë lekëve. Kredinë e tij e kishte blerë një institucion financiar që kërkonte 4.8 milionë lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.
Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme. (A2 Televizion)