Berisha e Malltezi në gjyq për “Partizanin”, Gjokutaj: Vendimet e Irena Gjokës të pavlefshme

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 15:05 | Kronikë

Gjykata e Posaçme pas 7 muajsh vendosi këtë të hënë që të kalojë për gjykim dosjen “Partizani”, ku të pandehur për korrupsion pasiv janë Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Pas marrjes së vendimit nga GJKKO, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha për mediat se vendimet e marra nga gjyqtarja Irena Gjoka janë të pavlefshme, ndaj edhe pala mbrojtëse nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Të gjitha vendimet e marra prej Irena Gjokës janë të pavlefshme. Gjykata vendosi ta kalojë për gjykim çështjen. Gjykata sot vendosi ta kalojë për gjykim çështjen, ndërkohë që po kjo gjyqtare në po të njëjtat kushte në rastin e çështjes Dakos e ka kthyer pa kërkim të palës çështjen për plotësim hetimor, ndërsa në rastin konkret e çoi çështjen në gjyq. Dua të theksoj se kjo pavlefshmëri prej dy vitesh mban zotin Malltezi në “arrest shtëpiak”. Dhe zotin Berisha për aq kohë sa ishte në arrest shtëpia, si pasojë e kësaj vendimmarrje të paligjshme të kësaj gjyqtareje. Rama përmes agjencisë së tij, GJKKO-së, e realizoi edhe këtë fazë, për ta dërguar çështjen në gjyq. Së fundmi Gjykata e Lartë ka hapur një praktikë në kundërshtim me ligjin që thotë se seanca paraprake nuk mund ta pushoj çështjen. Ose ta çojë në gjyq ose ta kthejë mbrapsht pasi është Gjykata e Themelit ajo që jep vendim në lidhje me fajësinë ose jo. A thua se ne nuk e dinim këtë. Këto janë tentakulat, metastazat ligjore që kanë kapur Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuesen. Ne nuk kemi kërkuar gjykim e shkurtuar për dy arsye. E para sepse mungon fakti penal dhe nuk kemi çfarë të shkurtojmë apo zgjasim. Dhe e dyta në momentin kur konstatojmë akte të pavlefshme, gjykimi i shkurtuar automatikisht është i rrëzuar. Kjo gjykata këtë bëri, i vleftësoi ato akte, i dha vlerën dhe i çoi në gjyq", tha Gjokutaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos