Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur një hetim disiplinor ndaj gjyqtares Antonela Prendi, e cila ushtron detyrën në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Hetimi ka nisur pas raportit të inspektimit të ILD-së, i cili analizoi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore në këtë gjykatë për periudhën 1 shtator 2022 – 30 dhjetor 2022. Gjatë inspektimit, është vënë re se një numër vendimesh janë dorëzuar pas afatit 120-ditor të parashikuar nga Kodi i Procedurës Civile, i cili është konsideruar si koha e arsyeshme për dorëzimin e vendimeve të arsyetuara.
Pas shqyrtimit të 21 vendimeve të dorëzuara me vonesë nga gjyqtarja Prendi, ILD ka konstatuar se shkelja disiplinore ka ndodhur për shkak të neglizhencës nga ana e saj. Në disa raste, vonesat kanë arritur deri në dy vjet e katër muaj, ndërkohë që nuk janë paraqitur arsye të justifikueshme për këtë vonesë, si arsye shëndetësore ose familjare, përveç asaj që ka të bëjë me ngarkesën e punës dhe kapacitetin e gjykatës.
Sipas ILD shkeljet janë të natyrës së "shkeljes së lehtë disiplinore", duke marrë parasysh se gjyqtarja ka një karrierë të gjatë dhe të pastër, pa masa disiplinore të mëparshme, dhe se ka bashkëpunuar gjatë hetimit. Si rezultat, ILD ka propozuar masën disiplinore "Vërejtje publike" për gjyqtaren Antonela Prendi, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky propozim do t’i paraqitet Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) për shqyrtim dhe vendimmarrje përfundimtare. (A2 Televizion)