Vjedhje në banesa dhe lokale, identifikohen 3 autorët, dy në pranga

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 08:27 | Kronikë

 

Policia e kryeqytetit ka zbardhur disa vjedhje në banesa dhe në lokale dhe ka identifikuar 3 autorët. Policia ka në pranga dy prej tyre, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër. Gjatë operacionit të Policisë janë sekuestruar disa bizhuteri, një shumë lekësh, si dhe një automjet. Ndërkohë po punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Njoftimi i Policisë DVP Tiranë

Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, për zbardhjen e vjedhjeve.

Identifikohen 3 autorë vjedhjesh në banesa dhe në lokale.

Vihen në pranga 2 prej tyre dhe shpallet në kërkim tjetri.

Sekuestrohen disa bizhuteri dhe një shumë lekësh, të dyshuara të vjedhura, si dhe një automjet.

Si rezultat i hetimeve të kryera rreth denoncimeve për vjedhje në banesa dhe në subjekte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, mundësuan zbardhjen e autorësisë së 4 prej këtyre rasteve. Konkretisht:

-u vu në pranga shtetasi E. D., 20 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi E. G., 21 vjeç, pasi dyshohet se gjatë periudhës maj-qershor, kanë vjedhur para dhe sende me vlerë, në 1 banesë dhe në 2 lokale;

-u vu në pranga shtetasi A. K., 33 vjeç, pasi dje, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë në fshatin Arbanë.

Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos