Për 5 orë me radhë gjatë së mërkurës, Artan Tafani, i penduar i drejtësisë, rrëfeu në Gjykatën e Posaçme ngjarjet kriminale për të cilat akuzohen anëtarët e një grupi kriminal të dyshuar si të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Tafani, deklarimet e të cilit, ndihmuan në zbardhjen e 17ngjarjeve kriminale në mbarë vendin, nga vrasjet tek shpërthimet me eksplozivi, dhe dërgimin në gjyq të 8 të pandehurve, rrëfeu në gjyq se takimet e para me ata që më pas i kishte bashkëpunëtor në krime i kishte pasur në burg.
Më pas, nën shoqërinë e tyre, ai ishte ndeshur me Laert Haxhiun në një lokal në periferi të Tiranës e më pas në zonën e Dajtit, ku ky i fundit i ka kërkuar të punonte për të.
“Duke qene se Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili kishin rënë në burg Laert Haxhiu kishte nevojë për njerëz për mua”, tha Tafani. Sipas të pendarit “prova” e tij e parë kishte qenë vendosja e një sasie tritoli në Lushnje, te banesa e dikujt që i detyrohej para Haxhiut. Vrasjen e Çajup Selimit, qershorin e vitit 2021 në Tepelenë, Tafani tha se ishte motivuar me faktin se kishte ngacmuar nënën e Erisiano Abedinit. Për këtë vrasje, Tafani, rrëfeu se ishte paguar 25 mijë euro, shkruan A2 CNN
I penduari zbuloi detaje të ekzekutimit makabër të Fridman Xhaferrit në të njëjtën periudhë në Korçë. Atje kishte shkuar me Laret Haxhiun, Lulëzim Spahinë, Bledar Berberin e Mariglen Topuzin dhe rrugës kishin zgjedhur edhe një rezervuar në Gjanc për t’i hedhur trupin. Tafani tha se e kishin marrë Fridmanin duke i thënë se do paketonin hashash. Kur ishte përballur me Haxhinë, ky i fundit, i ka thënë “s’i ishte muhabeti që do flas po s’më nxorën nga burgu”.
Sipas të penduarit, Xhaferraj kishte mohuar, kishte qarë dhe ishte përgjëruar për të mos e vrarë, por anëtarët e grupit e kishin vrarë me plumb pas koke, lidhur trupin me një gomë e gurë dhe hedhur në rezervuar. I penduari Tafani tregoi detaje edhe për vrasjen e Alban Semakut, në Peqin dhe Albi Bashaliut në Greqi në tetor dhe dhjetor 2021. (A2 Televizion)