
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, do të paraqitet nesër në GJKKO, ku do të merret në pyetje në lidhje me hetimet e SPAK.
Seanca për Hysenin është caktuar për orën 12:00, më 24 shtator. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në të njëjtën ditë do të merren në pyetje edhe dy personat e tjerë të hetuar në këtë dosje, Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani. Për të dy është caktuar masa “arrest në burg”. Seanca e tyre do të zhvillohet në orën 09:00.
Sipas njoftimit të GJKKO-së, SPAK ka kërkuar marrjen në pyetje të tre personave në kuadër të një procedimi penal të nisur në vitin 2025.
Vlora Hyseni mbërriti fillimisht në aeroportin e Prishtinës, ku iu dorëzua autoriteteve të Kosovës.
Më pas, në pikën kufitare të Vërmicës, në kufi me Kukësin, ajo iu dorëzua autoriteteve shqiptare për të vijuar procedurat ligjore.
Nga kufiri, Hyseni u shoqërua drejt Tiranës me një automjet civil të autoriteteve shqiptare, për zbatimin e masës së arrestit në shtëpi.
Hyseni dhe dy personat e tjerë janë nën hetim, ndërsa përgjegjësia e tyre do të përcaktohet nga gjykata.
Ndërkohë, pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga detyra si drejtuesja e SHISH, kompetencat e drejtimit të institucionit i janë deleguar përkohësisht Elvis Lilës.
(A2 Televizion)