Hetuesit në Greqi kanë zbuluar të dhënat e dy shqiptarëve që u arrestuan për vrasjen gjakftohtë të një shtetasi grek me origjinë shqiptare, 47 vjeç, dhjetorin e kaluar në Thrakomakedones.
Sipas mediave të huaja, në pritën që ata ngritën më 15 dhjetor, një tjetër person mbeti i plagosur rëndë, pa u bërë plotësisht e qartë se cili nga të dy ishte objektivi i sulmit.
Sipas informacioneve, autoritetet besojnë se autorët janë ekzekutorë profesionistë dhe kjo ide vjen pasi mënyra se si kanë vepruar tregon se janë njerëz që “e njohin këtë punë”. Ata vepruan shpejt, gjuajtën katër plumba dhe të gjithë gjetën objektivin e tyre.
Një vlerësim që forcohet edhe më shumë nga gjetjet në banesat e tyre, ku ndër të tjera u gjetën dhe u konfiskuan dy kallashnikovë. Gjithashtu, burime të mirëinformuara thanë se nga të dhënat e deritanishme rezulton se dy autorët janë paguar për vrasjen, pra bëhet fjalë për një ‘kontratë vdekjeje’ me pagesë.
Dy të arrestuarit janë 43 dhe 45 vjeç dhe siç rezultoi nga hetimi i EL.AS-it, në të kaluarën ata kishin shqetësuar autoritetet për krime të lehta, konkretisht njëri për sasi të vogël droge dhe tjetri për një vjedhje, shkruan A2 CNN.
Numërimi mbrapsht për gjetjen dhe arrestimin e tyre filloi menjëherë pas krimit brutal. Sipas informacioneve, autorët pas vrasjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë Renault Katzar ngjyrë të errët me targa false dhe janë parkuar në një park në Nea Smyrni.
Drejtuesit e EL.AS. përmes informacioneve dhe pamjeve të kamerave në zonë kanë arritur të lokalizojnë mjetin e përdorur nga autorë të panjohur deri atëherë.
Ata e vunë vendin nën mbikëqyrje 24 orëshe dhe pas disa ditësh panë dy persona që ndryshonin sërish tabelat dhe dezinfektonin me zbardhues kabinën e pasagjerëve.
Vlen të theksohet se gjatë hetimeve për vrasjen, njëri nga dy të arrestuarit shkoi pesë herë në Shqipëri, por lëvizjet e tij nuk arritën të çorientonin policët që ishin bërë ‘hija e tij’.
(A2 Televizion)