Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, do të gjykohet me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme, ndërsa më 10 shkurt, SPAK pritet të lexojë pretencën kundër tij.
Kërkesa e ish-kryebashkiakut për gjykim të shkurtuar, lloj gjykimi që në rast fajësie i ul një të tretën e masës së dënimit, u pranua nga gjykata në seancën e së hënës.
Në Gjykatën e Posaçme, Goro po përballet me akuzën e akuzën e “shpërdorim të detyrës” në dy raste gjatë regjistrimit të dy trojeve në bregdetin e Himarës dhe për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Gjykimit të shkurtuar do t’i nënshtrohen edhe të bashkëpandehurit e tij, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa i pandehuri tjetër Bilbil Aliaj u veçua për një gjykim të zakonshëm.
Në seancën e së hënës, në sallën ku ndodhej edhe ish-kryebashkiaku Goro, prokurori Olsi Dado lexoi kërkesën për gjykim, duke pretenduar shkeljen e ligjit prej tij teksa drejtonte Bashkinë Himarë.
Sipas SPAK, nga pozicioni i kryebashkiakut, ka regjistruar një sipërfaqe trualli prej 5512 m2 në kundërshtim me ligjin. Në një episod të dytë, ai dyshohet se ka mbivendosur mbi një pronë shtet një sipërfaqe prej 5080 m2. Të dyja këto sipërfaqe trualli u përdorën më pas për llogari të një investimi strategjik, ku pjesë takuese kishte edhe bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.
Po sipas SPAK, Goro nuk ka deklaruar një apartament në Tiranë, që zotërohej prej tij. Pasi u njoh me akt-akuzës, gjykata shtyu seancën për më 10 shkurt, ku pritet të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të prokurorisë. (A2 Televizion)