Policia e Durrësit thotë se ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Valbon Beqiraj. Ai është mes disa personave që janë shoqëruar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen 12 të qytetit bregdetar.
Viktima duket se kishte ftuar disa miq në banesë, me njërin prej të cilëve mendohet të jetë konfliktuar. Hetuesit kanë marrë gjurmën e gishtërinjve dhe kanë analizuar edhe kamerat e sigurisë për të shkuar drejt autorit.
51-vjeçari u gjet pa shenja jete në banesë. Por, nga ekspertiza paraprake mjekoligjore e kryer nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar se në trupin e 51-vjeçarit kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës, si pasojë e të cilave dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën.
"Përgjatë natës dhe aktualisht, grupi i posaçëm hetimor ka kryer dhe është duke kryer një sërë veprimesh të thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve", lexohet në njoftimin e policisë, shkruan A2.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë një njoftim të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje. (A2 Televizion)