I mori 25 mijë euro një biznesi në Sauk, Prokuroria kërkon 10 vite burg për nigerianin e akuzuar për mashtrim kompjuterik

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 09:13 | Kronikë

I mori 25 mijë euro një biznesi në Sauk, Prokuroria kërkon

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për një shtetas nigerian, të akuzuar për “Mashtrim kompjuterik”. Sipas hetimeve, i pandehuri arriti të përvetësojë shumën prej 25.000 euro nga një biznes shqiptar që importon detergjentë nga Italia. Biznesmeni kishte kryer prej vitesh pagesa bankare ndaj partnerit italian nëpërmjet emailit. Megjithatë, një ditë ai mori një kërkesë që pagesa të kryhej në një llogari tjetër në Gjermani. Duke mos vënë re ndryshimin e vogël në adresën e emailit dhe duke parë faturën e saktë, biznesmeni me iniciale E.B. bëri pagesën, për të zbuluar më vonë se ishte mashtruar.

“Një ditë, nga emaili i palës Italiane i vjen një kërkesë që pagesën të mos ta bënte më në llogarinë e kompanisë në Itali por në Gjermani me faturën përkatëse. Kallëzuesi duke parë që emaili ishte i njëjtë (më pas u konstatua se ndryshonte vetëm një gërmë) dhe aty ishte dhe fatura e saktë e kompanisë italiane e dërguar në komunikimet elektronike të mëparshme dhe duke ditur që janë kompani shumëkombëshe, kreu pagesën.

Pas disa kohësh ai kontaktohet nga kompania Italiane pasi nuk kishin marrë shumën prej 25000 eurosh nga ku kuptoi se pagesën e kishte bërë në një adresë tjetër”, njofton prokuroria.

Hetimet zbuluan se mashtrimi ishte kryer përmes një metode të njohur si “Business Email Compromise” (BEC).

Hackerë të huaj kishin ndërhyrë në sistemet kompjuterike të bizneseve me mbrojtje të dobët, duke marrë akses në email-et e tyre dhe bisedat me partnerët. Më pas, ata krijonin adresa të ngjashme emaili dhe dërgonin fatura false, duke kërkuar pagesa në llogari të ndryshme.

Ky rast, sipas Prokurorisë, është një nga disa të tillë të ngjashëm të ndodhur së fundmi në Shqipëri. Autoritetet i bëjnë thirrje bizneseve të forcojnë masat e sigurisë kibernetike dhe të verifikojnë me kujdes çdo kërkesë për ndryshim të llogarive bankare apo destinacionit të pagesave, për të shmangur rënien pre e mashtrimeve të sofistikuara online. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos