Një person është arrestuar në Sarandë pasi ka marrë me forcë një 19-vjeçar në automjet, kundër vullnetit të tij.
Ngjarja ka ndodhur më 24 shtator 2025, pas një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Metoq, shkruan A2.
"Nga deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore, 19-vjeçari nuk ka pranuar se ishte marrë forcërisht, por hetimet e mëtejshme bënë të mundur zbardhjen e plotë të rastit", lexohet në njoftimin e policisë.
Si rezultat, shërbimet e Policisë identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasin G. O., 33 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë. Ky shtetas dyshohet se më datë 24.09.2025, rreth orës 13:30, pas një konflikti për motive të dobëta në fshatin Metoq, ka marrë kundër vullnetit të tij në automjetin tip “Mercedes-Benz” shtetasin F. M., 19 vjeç, duke e mbajtur aty për një kohë të shkurtër dhe më pas e ka lënë të lirë. (A2 Televizion)