Vrasja e Edmond Papës, Bode mbetet në qeli. Pretendon “urdhra” nga Dubai për policinë

Nga Armand Bajrami
30 Gusht 2024, 15:41 | Kronikë

Dy ditë pasi u arrestua në Memaliaj, Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Edvin Bode, doli para Gjykatës së Tiranës për verifikimin e masës së sigurisë të dhënë në mungesë ndaj tij. Pasi ju fsheh drejtësisë për dy vite, i dyshuari kryesor për vrasjen e Edmond Papës, u përpoq t’i shpëtonte edhe fiksimit nga kamerat televizive, duke u strukur në një kënd të kafazit të sallës së gjyqit. Në përfundim të një seancës, gjykata vendosi të lërë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”, raporton A2 CNN.

Bode mbajti qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se nuk ka gisht në vrasjen e Papës, dhjetorin e vitit 2020 në kryeqytet. “Unë nuk kam qenë fare në atë zonë mbrëmjen e ngjarjes. Kam dëshmitarë për këtë dhe do t’i sjellë. Nuk kam lidhje me vrasjen”, është shprehur Bode.

I pyetur nga gjykata se përse i ishte fshehur drejtësisë, 45-vjeçari është përgjigjur se nuk kishte besim tek drejtuesit e policisë. “Nuk kisha besim tek drejtuesit e policisë, pasi ata i marrin indikacione nga Dubai, e dinë ata”, është përgjigjur i akuzuari, duke vijuar se do të konsultohet me avokatët e tij nëse do të bëjë apo jo kallëzim ndaj tyre, raporton televizioni A2. 

Andrew Bode akuzohet për “vrasje me paramendim”, në bashkë punimdhe “armëmbajtje pa leje”. Bashkë me të të mërkurën u arrestua edhe Julian Kalemi, për akuzën e strehimit të tij, si edhe Andrea Kalemi, në banesën e të cilit u gjetën armë, silenciatorë dhe gati 50 mijë euro cash. Andrea është djali i Shyqyri Kalemit, i vrarë në masakrën e Memaliajt, 20 korrikun e këtij viti, ngjarje e listuar në serinë e një sage hakmarrjeje mes fiseve Kalemi e Papa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos