Vrasja e gjyqtarit, zbardhet dëshmia e rojës së sigurisë në Gjykatën e Apelit

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 10:01 | Kronikë

Vrasja e gjyqtarit, zbardhet dëshmia e rojës së sigurisë

Policia e Tiranës gjatë kryerjes së veprimeve hetimore për të zbardhur vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ka këqyrur kamerat e sigurisë së Gjykatës së Apelit, duke zbuluar se roja i godinës nuk ka marrë asnjë masë dhe ka neglizhuar protokollin e sigurisë.

Sipas policisë, nga kamerat duket qartë se është konstatuar prezenca e metalit në momentin kur autori i ngjarjes, Elvis Shkambi ka kaluar në skaner por Banush Koxhaj nuk ka kryer kontrollin përkatës edhe pse është sinjalizuar me dritën e kuqe.

“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës. Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital”, sqaron policia.

Edhe në dëshminë e tij për hetuesit, roja e sigurisë e ka pranuar faktin që nuk i ka kontrolluar Elsvis dhe Gjon Shkambin teksa futeshin në hollin e gjykatës, duke thënë: “Nuk i bëra kontroll fizik". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos