Zhvillohet seanca paraprake ndaj të akuzuarit për vrasjen e djalit të tyre, prindërit e Martin Canit në gjykatë

Nga Armand Bajrami
10 Mars 2025, 13:08 | Kronikë

Zhvillohet seanca paraprake ndaj të akuzuarit për vrasjen e djalit

Prindërit e Martin Canit mbërrijnë në Gjykatën e Tiranës për seancën paraprake ndaj të akuzuarit për vrasjen e djalit të tyre 14-vjeçar. Në këtë gjykim Prokuroria e Tiranës kërkon kalimin për gjykim të të miturit M. Përlleshaj për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”, ndaj të miturit, shkruan A2 CNN.

Mario Përlleshi, i mituri që i mori jetën bashkëmoshatarit të tij Martin Cani më 18 nëntor të vitit të kaluar, pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet do të dalë në gjyq si ai akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”.

Gjithashtu, nga ana e Prokurorisë së kryeqytetit është vendosur të ndahen aktet e këtij procedimi, sa i përket atyre që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës.

Këto akte janë regjistruar në një procedim tjetër për të cilin hetimet vazhdojnë pasi sipas organit të akuzës është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.

Ngjarja e rëndë, ku mbeti viktimë e një goditje me thikë 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagos shoku i tij Luis Meçe, ishte derivat i sherreve që kishin nisur mes të miturve në platformën TikTok. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos