Është gjetur trupi i pajetë i recepsionistit të hotel "Greccia" në Dhërmi, Eral Nevruzit, i cili u vra nga pronari. Trupi i 31-vjeçarit është gjetur afër një guroreje pa shkuar në Vuno.
"Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno", njofton policia.
Sakaq, dy punonjësit e hotelit në Dhërmi, të arrestuar si bashkëpunëtorë të autorit, kanë deklaruar në polici se ishin detyruar nga pronari për ta ndihmuar. Kanë treguar se pas mesnatës së të mërkurës, pronari Geraldi dhe Eraldo kanë pasur konflikt tek shkallët dhe më pas e ka qëlluar 2 herë me pistoletë. Në orën 04:00 të mëngjesit të së enjtes Shehu është larguar për në banesë, ka marrë çantën dhe është larguar për në Greqi përmes Qafë Botës.
Mësohet se ka ndjekur itinerarin nga Himara - Kuç - Tepelenë - Delvinë - Sarandë deri në Qafë Botë, ku ka kaluar kufirin.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve që janë ushtruar në banesën e autorit Gerald Shehu, policia ka gjetur një gëzhojë. Dyshohet se kjo është gëzhoja e plumbit me të cilin ka qëlluar në kokë recepsionistin Nevruzi.
Pas vrasjes, 43-vjeçari dyshohet se ka mbledhur trupin me një çarçaf, e ka futur në makinë dhe e ka zhdukur trupin. Vetë Shehu është larguar në drejtim të Greqisë, ndërsa mjeti i tij Audi A8 është gjetur i parkuar në një parkim privat në Sarandë. (A2 Televizion)