Gjykata e Korçës ka lënë në burg 14-vjeçarin Enedio Guri, të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Erald Xhejo, pak ditë më parë në fshatin Pirg të Maliqit.
Pas një seance disa orëshe, togat e zeza u bindën nga argumentet e prokurorisë, duke vendosur që edhe babai i autorit, Edison Guri, dhe xhaxhai, Roland Guri, të vijojnë me të njëjtën masë sigurie, pasi akuzohen për bashkëpunim në krim dhe fshehje provash.
Në sallën e gjyqit, të tre personat e lënë në burg shprehën ngushëllimin për familjarët e viktimës duke nënvizuar se gjithçka ndodhu nga gjaknxehtësia.
Sakaq, për shokun e autorit, Florian Çela, gjykata caktoi masën e arrestit në shtëpi, ndërsa për katër të mitur të tjerë u vendos mbikëqyrja prindërore.
Avokati Ledjan Spaho deklaroi pas seancës se14-vjeçari ka shprehur pendesë për aktin e kryer.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së enjtes, në ambientet e jashtme të një lokali në qendër të fshatit Pirg, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Erald Xhejo. (A2 Televizion)