Vrasja në Ndroq, burg 27-vjeçarit, gjykata urdhëron akt-ekspertim psikik

Nga Armand Bajrami
5 Dhjetor 2024, 13:16 | Kronikë

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest në burg për 27 vjeçarin Julian Gjoshi, i akuzuar për vrasjen e Alfred Dedjas, pasditen e 1 Dhjetorit në një restorant pranë Ndroqit.

Në të njëjtin vendim, gjykata urdhëroi kryerjen e një akt-ekspertimi psikik për të riun, pas pretendimeve të avokatit të tij mbrojtës për papërgjegjshmëri për shkak të varësisë nga lëndët narkotike.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura 27-vjeçari i akuzuar për “vrasje me paramendim” nuk dha asnjë deklarim.  I riu nga Shijaku u vetëdorëzua në polici një ditë pasi kreu krimin. Në deklarimet e para në polici ai tha se vrasjen e kreu për shkak se 50-vjeçari Dedja e ofendonte.

Viktima dhe autori kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin. Alfred Dedja kishte punuar pranë një kompleksi në pronësi të të kërkuarit nga drejtësia, Altin Hajri, kunat i të akuzuarit për krimin.

Sipas hetimit paraprak, Dedja dhe Gjoshi kishin lënë takim në restorantin ku ndodhi ngjarja. Në momentin që 50-vjeçari shkoi në tavolinë, Julian Gjoshi e qëlloi me 5 plumba pistolete, 2 prej të cilave Alfred Dedjan e kapën në trup.

Policia nuk ka mundur të gjejë armën e krimit, për të cilën Gjoshi deklaroi se e kishte hedhur në një kanal me shkurre disa metra larg lokalit ku kreu vrasjen.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos